
Mediat amerikane kanë publikuar një foto ku shfaqet 20-vjeçari Thomas Crooks, i cili tentoi të vrasë ish-Presidentin amerikan Donald Trump. Ai u asgjësua nga Shërbimi Sekret brenda disa sekondave, fill pas atentatit. Crooks është diplomuar në vitin 2022 në kolegjin Bethel Park High School.

Crooks, banor i Pensilvanisë, jetonte rreth një orë larg vendit ku ndodhën të shtënat në Butler. Ndër të tjera mësohet se Crooks është vlerësuar me një çmim gjatë viteve studimore nga Iniciativa Kombëtare e Matematikës dhe Shkencës.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit besojnë se arma e përdorur për të qëlluar ndaj Donald Trump është blerë nga babai i Thomas Crook, raporton agjencia e lajmeve Associated Press. Duke folur në kushte anonimiteti, dy oficerë i thanë AP se babai i Crooks kishte blerë një armë të paktën gjashtë muaj më parë. Agjentët federalë nuk kanë bërë të ditur motivin e sulmit, por autoritetet po e trajtojnë të shtënat si një "tentativë për vrasje".
Kur ishte 17 vjeç, ai bëri një donacion prej 15 dollarësh për ActBlue, një komitet veprimi politik që mbledh para për politikanët me prirje të majtë dhe demokratë, sipas një dosjeje të Komisionit Federal të Zgjedhjeve të vitit 2021. Donacioni u caktua për Projektin Progresiv të Pjesëmarrjes, një grup kombëtar që mbledh demokratët për të votuar.
Por të tjera raportime, duke iu referuar regjistrave të votuesve, sugjerojnë se ai ishte regjistruar si republikan, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të 5 nëntorit, që do të ishin të parat ku ai do të votonte.



