Gazetari Arian Çani komenton akuzat e forta të Sali Berishës, lidhur me Engjëll Agaçin, duke deklaruar se nuk beson se ka njeri në strukturat e qeverisë që nga maja e piramidës e deri poshtë që është jashtë kontrollit të Edi Ramës.
Ai thotë për MCN Tv, se duke parë mënyrën që qeveris Rama, vihet re se qeveris në mënyrë vertikale, nga lartë poshtë, do të dijë gjithçka dhe do të fusë hundët gjithandej.
Mendon se shija e tij është më superiore. Në gjithçka ai është tërësisht i informuar, ka një memorie tërësisht të fortë. Duhet të kesh disa cilësi të tilla dhe në atë moshë që është Rama tani, që nuk është djalë i ri që të mbijetosh kaq gjatë në krye të qeverisë.
Rama nuk rri dot dhe në projekte, pa skicuar dhe dhënë ngjyra. Si mund t’i dalë nga kontrolli don Agaçio, kur Rama është kaq i dashuruar pas vetes edhe në disa lokale ku drekon dhe darkon se ka peshk të mirë po i pëlqeu një gjë, i thotë ndërroi kangjellat se nuk i ke të mira. Madje i jep dhe mënyrën se si duhen bërë, edhe ngjyrën.
Rama është një përbindësh politik i niveleve të paimagjinueshme. Mendon kush se mund të ekzistojë kush që mund t’i dalë jashtë kontrollit Ramës.
Berisha që e njeh shumë mirë pushtetin, është i lexuar, me eksperiencë, nuk gabon logjikisht. Pastaj konkretisht se çfarë di Berisha për don Agaçion nuk di ta them.
Ka një problem tek komunikimi i Berishës, kur flet për Don Agaçion, nuk e tregon fytyrën e tij, këtu është gabimi, Berisha mendon se njerëzit e dinë se për kë po flet. Këtë shumë pak e dinë.
Berisha kur flet për këta personazhe, nuk do ishte keq ta ilustronte me foton e këtyre personazheve.
Sa i takon deklaratave të Sali Berishës, i cili i kërkoi Nuredin Dumanit që të flasë për të vërtetuar se lidhjet kriminale shkojnë deri te Edi Rama, dhe se vrasjet mafioze bëhen në bashkëpunim me policinë, deklaroi se nëse do e pohonte do të ishte spekulim.
Sipas tij, këto lloj vrasjesh me kaq para në lojë, nuk mund të bëhen pa bashkëpunimin e disa njerëzve në policinë.
Byt *lëpirësit e pushtetit kur dëgjojnë këto fjalë hidhen, ç’është kjo. Janë disa koka të afta në polici, që dinë të përfitojnë, dinë kur duhet të vënë gjoba.
Ky është një fenomen që nuk është shqiptar, këta policë i gjen jo vetëm në Tiranë, Vlorë, Fier, por dhe Paris, Bruksel.
I pyetur nëse janë shkëputur lidhjet e policisë me krimin, refuzoi duke thënë se kur Rama fliste për një polici të tradhtuar, i referohej një kontekst të caktuar, madje luftën brenda llojit e quan të natyrshme.
Diferenca mes policit dhe kriminelëve është se të dy kanë armë, njëri ka detyrë të mbrojë qytetarët nga krimineli, tjetri t’i vjedhë dhe t’i vrasë.
Duken si ekstreme se kanë dy detyra të ndryshme, por në thelb është e njëjta gjë. Sa mund të shkëputet macja me miun, aq mund të shkëputet polici me kriminelin.
Akuzën e Berishës se Gazmend Bardhi ka pasur një rol në vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Çani deklaroi se nuk ka informacion dhe se është vështirë të kesh informacion nga nivele të tilla.
Berisha ka dalë brenda ditësh dhe ka bërë gjithë ato akuza. Si për të thënë se PD jam unë sërish. Atë sërish nuk do ta thotë.
Do të thotë se jam unë dhe është një PD e re, jam unë në krye, unë tani nuk bëj kompromis, nuk bëj pazar. I ka bërë thirrje Dumanit! Basha nuk do e bënte kurrë.
Berisha shkon deri atje, se Berisha i njeh mirë fijet e merimangës.
Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se do të çojë kryebashkiakë socialistë në derën e SPAK, sipas Çanit e bën për t’i trembur.
Mund të ketë konflikte me disa prej tyre, ose me ndonjërin, me të cilin nuk ka mbaruar punë. E lëshon këtë frazë në përgjithësi dhe ata që duhet të tremben, do të tremben.
Nuk ka rëndësi nëse do shkojnë në SPAK apo jo, ata do rrojnë me frikën e SPAK. Ai i njeh mirë humanët, ua njeh pikat e dobëta. Rama është mjeshtri i kukullave, është ai që lëviz kukullat nga poshtë.
Është një bllofaxhi, një pokerist i niveleve të larta. Problemi është pse kukullat i binden dhe vazhdojnë ta besojnë dhe ta kenë frikë.
Lidhur me shtrëngimin e duarve mes kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me kreun e FSHF, Armando Duka, ai tha se nuk do penalizohet aspak Vliaj, por thjesht lufta do të transferohet në një kohë të dytë dhe se deri sa të vijë ajo kohë, duhet të bëjmë në sytë e botës sikur s’ka nodhur asgjë.
Sjellja në publik e Veliajt, që duhet thënë se unë nuk e simpatizoj, ai ka shënuar një golavarazh, tregoi që po luan politikë. Dëm nuk i bën në afatgjatë se në politikë fjalët i merr era, ato që mbeten janë aktet.
Veliaj e di këtë gjë, po mos të kishte shkuar t’i jepte dorën, do tregonte që është inatçi i vogël. Ky ishte gjest shumë interesant i Veliaj. Edhe Dukës bravo i qoftë dhe në momente të vështira nuk e ka lëshuar veten.
Po të ishte në politikë, Duka do ishte një politikan brilant i paparë. Nuk gjen asnjë çedim te Duka. Është mjeshtër, i buzëqeshur, është i ftohtë, nuk transmeton emocionin. Ka buzëqeshje prej babaxhani.
Veliaj me këtë që bëri tani, tregon se ka bërë një kthesë shumë interesante. Lufta është transferuar pak më vonë.



