
“Folha de S. Paulo”, e cila është gazeta më e madhe në Brazil ka vendosur të mos publikojë dhe të shpërndajë më lajmet përmes profilit të saj në Facebook. Vendimi erdhi pas ndryshimeve në algoritmin e rrjetit social më të madh në botë, ndryshim që sipas gazetës favorizon lajmet e rrema dhe aspak profesionale. Botuesi i “Folha de san paolo”, Sérgio Dávila, thotë se ky ndryshim thjesht mundësoi përhapjen e dezinformimit publik.
Me ndalimin e gazetarisë profesionale në faqet e tij në favor të postimeve personale dhe “lajmeve të rreme" Facebook është bërë një terren jo mikpritës për ata që ofrojnë materiale cilësore sikurse bëjmë ne
tha Davila.
Botuesi përmend këtu se lexueshmëria e gazetave përmes facebook përgjatë një viti ka rënë me 32%. E kundërta, sipas tij, ka ndodhur pikërisht me faqet që ofrojnë gazetari joprofesionale dhe lajme të rreme, duke numëruar 73 faqe të tilla. Gazeta ndërkaq ka njoftuar se nuk do ta mbyllë profilin e saj me 6 milionë ndjekës në Facebook, por nuk do të postojë asnjë lajm në të. Nuk dihet nëse kjo do të vazhdojë të reduktojë numrin e lexuesve duke patur parasysh faktin që Brazili renditet i treti në listën e tregjeve më të mëdha të facebook-ut në botë me 130 milionë përdorues, ose e thënë ndryshe, më shumë se gjysma e popullsisë prej thuajse 208 milione banorësh përdorin facebook-un.
Ky vendim ka rëndësi edhe për faktin se ai afirmon shkëputjen e mediave tradicionale nga audienca e siguruar përmes Facebook. Prej vitesh rrjeti social u kthye në një kanal kryesor të shpërndarjes së lajmeve duke kushtëzuar kështu shikueshmërinë dhe për pasojë edhe lirinë financiare dhe ndikimin e mediave. Por kohët duket se po ndryshojnë dhe kjo jo vetëm sepse Facebook po ndërhyn tek algoritmi dhe shpërndarja e newsfeeds.
Modeli i pagesës, apo blerjes së informacionit po rezulton i suksesshëm, kuptohet me kushtin e cilësisë që bën dallimin e madh në morinë e mediave që popullojnë internetin sot. Një shembull domethënës vjen nga SHBA ku gazeta "New York Times", raportohet të ketë rritur të ardhurat nga abonimet online dhe për vitin 2017 ato kapërcyen 1 miliardë dollarë. Ky është një rast ndër më domethënësit por vendimi i gazetës braziliane flet po ashtu shumë kur lexohen shifrat.
“Folha de San Paolo”, si gazeta më e madhe në Brazil numëron 285 mijë kopje të printuara dhe 204 milionë klikime në muaj, thuajse po aq sa është popullsia e Brazilit. Tërheqja e saj nga Facebook padyshim që është goditje, por ajo jep shpresë për ribalancimin e një tregu të cilin rrjetet sociale e deformuan, pa folur për ndryshimet e njëanshme në algoritëm që në fund të fundit synonin vendosjen e mediave në varësi të plotë të mënyrës së shpërndarjes së vendosur nga kompania e drejtuar Mark Zukenberg.



