
Kriza politike në Shqipëri, duket se po shton impenjimin e ndërkombëtarëvë dhe jo vetëm, në funksion të daljes nga kjo krizë.
Zëvendësndihmës Sekretari në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Matthew Palmer, do të vijë në Tiranë më 8 prill.
Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, Palmer pritet të takohet me zyrtarët më të lartë në vendin tonë, mes të cilëve me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD, Lulzim Basha.
Krahas ardhjes fizike të zv.ndihmës sekretarit amerikan Palmer, gjatë muajit shkurt, ai ka zhvilluar edhe dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në lidhje me krizën politike.
Por duket se megjithkëtë, situata nuk ka ndryshuar meqë pasuan djegiet e mandateve nga ana e opozitës dhe vijimi i rregullt i protestave opozitare.
Pjesë e diskutimeve gjatë vizitës së zyrtarit të lartë amerikan, pritet të jetë kriza politike e cila prej dy muajsh ka mbërthyer aktualitetin politik në vend.



