
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se për dëmet që i shkaktohen buxhetit të shtetit duhet të përgjigjen financiarisht vetë zyrtarët që i marrin. Në studion e MCN Economy, Soko tha se mosndëshkimi i zyrtarëve për vendime që kanë rënduar në buxhetin e shtetit ka sjellë një trend të rrezikshëm, që rrezikon ta çojë ekonominë e vendit në ngërç.
Kemi humbur në arbitrazhe. Paguhet nga paratë e taksave. Nuk është as në frymën e kushtetutës. Nëse një drejtor ka firmosur një dokument në dëm të buxhetit të shtetit, atëherë atij i duhet sekuestruar pasuria për të paguar dëmin që ka shkaktuar. Dëmin e shkakton zyrtari i lartë që ka marrë vendimin. P.sh. çfarë kusuri kam unë që të paguaj lekët e Beketit. Ata që e kanë bërë atë marrëveshje dhe më pas e kanë prishur, ata nuk paguajnë asgjë. Kjo ka sjellë një trend të rrezikshëm. Bëhen marrëveshje me qëllim që të prishen e të shkojnë në arbitrazh. Pra sabotohet me dashje. E njëjta gjë ndodh në administratë me vendet e punës. Prokuroria këto i di. Po shkon fatura e gjyqeve 1 miliard euro. Do të na çojë në një ngërç. U bë Beketi, nuk mbajti askush përgjegjësi.
Soko tha më tej se Shqipëria i ka strukturat për ta luftuar korrupsionin, por mungon vullneti.
SPAK përkthen raportet në gjuhën e kodit penal. Nuk kemi probleme me strukturat. Kemi probleme me dëshirat. Pa ndërhyrë fare në strukturë, mund të funksionojë shumë mirë nëse kemi vullnet. SPAK dhe BKH u ndërtuan për të goditur korrupsionin në nivelet e larta. Nuk duhet të na intimidojë asgjë. Këto që ndodhin duhet të na bëjnë të mësojmë të parandalojmë. Ne sot kemi një kontratë për inceneratorët që paguhen ende. SPAK ka në dorë bllokimin e aktivitetit të kompanisë. Kontrata është ndërtuar që në fillim.
“Marrëveshjen” SPAK-KLSH, Soko e sheh si shfaqjen e radhës para mediave.
SPAK atë punë ka. I referohen të gjithë, pse duhet që SPAK të lidhë marrëveshje më KLSH. SPAK e ka detyrim ligjor. Nuk bëhet marrëveshje kur e ke detyrim ligjor, që çdo raport të çon KLSH.
Për të gjitha dëmet financiare duhen gjendur përgjegjësit. Prokuroria e ka detyrim ligjor. Këta mirë bëjnë që takohen. Këto takime i ngjajnë asaj shprehjes, “ku nuk ka punë, ka letra”. Nuk ka nevojë për takime. Merr raportin e KLSH dhe hetoje. Këta në vend që t’u japin përgjigje pyetjeve, këta shkojnë e takohen. Pra, nuk janë duke bërë punë. Janë mesazhe të konsumuara. Janë takime që kanë 20 vjet që bëhen.



