
Numri i rasteve me të infektuar me Covid-19 vazhdon të rritet në Europë. Qeveritë po mobilizohen për të shmangur një skenar të ngjashëm me atë të muajve të parë të këtij viti.
Kryeministri francez, Zhan Kasteks, tha se qeveria e tij duhet të lëvizë shumë shpejt për të frenuar valën e re të Covid-19. Ndryshe nga Presidenti Emmanuel Macron, shefi i qeverisë nuk përjashtoi mundësinë e izolimit total: “Dua që të dini se është detyrim i yni që t’u paraprijmë dhe parashikojmë të gjitha teoritë, gjë e cila më detyron të them dy gjëra. Para së gjithash, kemi gati planet për izolime të reja, që nënkupton masën më të rëndë, qoftë në nivel lokal apo kombëtar”.
Qeveria e Parisit fajëson të rinjtë për rritjen e nivelit të qarkullimit të infeksionit dhe Kasteks nënvizon se kjo situatë mund të përkeqësohet nëse nuk reagohet shpejt. Ai njoftoi se mbajtja e maskës mbrojtëse është e detyrueshme në çdo cep të Parisit, qytet i cili konsiderohet zonë e kuqe. Masë kjo e vendosur edhe në qytete të tjera. Gjyshërve u është kërkuar që të mos shoqërojnë apo marrin mbesat dhe nipërit nga shkollat nga frika e një mbipopullimi të spitaleve.



