Një aksident rrugor në Cërrik ka çuar në plagosjen e një gruaje dhe zbulimin e një arme pa leje. Ngjarja ka ndodhur në aksin Elbasan-Cërrik, në lagjen nr 2, ku K.C., 35 vjeç banues në Cërrik, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka goditur dy automjete.
Si pasojë, është dëmtuar pasagjerja e njërit prej mjeteve, shtetasja E.SH., 33 vjeçe, banuese në Belsh, e cila ndodhet në spitalin e Elbasanit, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit tip “Benz” pas aksidentit, ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia ka bërë shpalljen në kërkim te tij dhe po punon intensivisht për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e shtetasit të lartpërmendur Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
Një armë sportive e llojit pushkë pneumatike, në të cilën ishte montuar një pajisje optike (dylbi), si dhe një kuti me saçme metalike të kalibrit 4.5 mm.



