
Qeveria hungareze ka hartuar ligje të reja për të kriminalizuar të gjithë ata persona që ndihmojnë emigrantët e parregullt që kërkojnë azil.
Në rast se do të kalojë në formën aktuale, propozimi mund të cilësojë si veprime të dënueshme ligjërisht dhënien e informacioneve për azilkërkuesit, ofrimin e ushqimit ndaj tyre, mbëshetjen nga ana legale dhe shumë aktivitete të tjera që mund të lehtësojnë qëndrimin e emigrantëve në Hungari.
Kushtetuta gjithashtu do të ndryshohet për të parandaluar vendet e tjera të BE-së që të transferojnë azilkërkues në Hungari.
Kryeministri nacionalist, Viktor Orban, po sfidon politikën e BE-së mbi migracionin. Partia e Orbanit, Fidesz e krahut të djathtë, ka dy të tretat e shumicës në parlament; votimi për ligjet e reja pritet të ndodhë javën e ardhshme. Orban u rizgjodh muajin e kaluar për një mandat të tretë.
Qeveria e Orban ka gati propozimet për ndryshimin e Kushtetutës ku pritet të prezantohen disa amendamente të reja që do të ndalojnë vendet e tjera të BE të transferojnë emigrantë në Hungari.
Sipas Orban, këto masa kanë për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar. Propozimet e Orban janë pritur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut.
Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia kundërshtojnë një skemë të BE-së për zhvendosjen e 160 000 refugjatëve nga Siria dhe Eritrea te partnerët e Italisë dhe Greqisë, ku kampet e emigrantëve janë të mbipopulluar.
Nick Thorpe i BBC në Budapest thotë se parlamenti i Hungarisë po debaton projektligjet pavarësisht faktit se shumë pak migrantë ose refugjatë përpiqen të hyjnë në Hungari tani, për shkak të një gardhi të dyfishtë ndarës në kufirin jugor.
Legjislacioni quhet "Akti i Stop Soros", që pasqyron antipati të qeverisë ndaj filantropit miliarder George Soros, të cilin e akuzon për inkurajimin e imigracionit mysliman në Evropë.
Soros, i cili ka lindur në Hungari, e hodhi poshtë akuzën të martën, në një fjalim në Këshillin Europian për Studimin e Marrëdhënieve me Jashtë në Paris. Ai tha se zoti Orban ishte duke sfiduar vlerat thelbësore të BE.



