Sejko në mbledhjet vjetore të FMN dhe BB: Kemi ulur dukshëm kreditë me probleme

Sejko në mbledhjet vjetore të FMN dhe BB: Kemi ulur dukshëm kreditë me probleme

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka marrë pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, para të cilave bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

Për sa i përket sistemit bankar, Sejko u shpreh se sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë si dhe me një nivel të kënaqshëm kapitalizimi dhe likuiditeti. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme, nisma në drejtim të deeuroizimit të ekonomisë, zhvillimi i tregut të kapitalit në vend si dhe ai i sistemit të pagesave.

Lidhur me nivelet e larta të euroizimit, Guvernatori Sejko prezantoi Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Banka e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me të cilën po ndiqet një përqasje strategjike afatgjatë për deeuroizimin e ekonomisë, që nëpërmjet reduktimit të përdorimit të euros në ekonominë shqiptare do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si ruajtja e stabilitetit dhe vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, mbeten të një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Përfaqësuesit e FMN-së veçuan dhe vlerësuan si mjaft pozitive rritjen e kapaciteteve profesionale në Bankën e Shqipërisë, si dhe pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në aktivitetet e organizuara nga FMN-ja.

Një tjetër takim mjaft i rëndësishëm ishte edhe ai i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës. Gjatë tij, Guvernatori njohu të pranishmit lidhur me planin e veprimit ndërinstitucional dhe masave të ndryshme të Bankës së Shqipërisë në drejtim të uljes së kredive me probleme, si dhe nënvizoi se trajtimi i tyre ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Sejko shtoi se masat e ndërmarra, kanë dhënë efektet e tyre graduale dhe të qëndrueshme, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj kredisë totale të zbresë në nivelin më të ulët që prej vitit 2011, dhe pritet të vazhdojë në këtë drejtim edhe në të ardhmen e afërt.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë nëtakimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, si dhe në punimet e seminarit të G30.Gjithashtu, ai ishte pjesëmarrës në takimet e përbashkëta të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të disa konsistuencave të FMN-së.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy