Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas konventës ku LSI ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.
Meta ka falenderuar delegatët e pranishëm dhe tha se dje u përmbush hapi i parë në rivendosjen e sovranitetit të popullit shqiptar përmes referendumit.
Me mirënjohje për të gjithë delegatët për vendimin historik të themelimit të Partisë së Lirisë. Dje hodhëm hapin e parë në përmbushjen e misionit tonë për rivendosjen e Sovranitetit të plotë të popullit shqiptar nëpërmjet Referendumit. Tani është Koha për Veprim! Asnjë sekondë për të humbur!
Mbrëmjen e djeshme, nga Konventa, Meta bëri thirrje për sovranitet dhe referendum të cilat sipas tij ishin dy elementët më të nevojshëm për demokracinë shqiptare.
Lëvizja Socialiste për Integrim nga 25 korriku do të mbajë emrin 'Partia e Lirisë'. Që në nisje të eventit u ndryshuan 2 nene në statut ku LSI i dha të drejtë vetes që të ndryshojë emrin, vulën dhe simbolet e partisë. Kjo i hapi rrugën ndryshimit të emrit të partisë së krijuar në vitin 2004 nga Ilir Meta. Tashmë Partia e Lirisë do të drejtohet nga një Komitet Organizator, me në krye Ilir Metën, derisa sipas statutit të zhvillohen zgjedhjet që ta ngjisin zyrtarisht ish presidentin në krye të saj.



