Policia sllovene ka vënë në pranga 13 persona të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e të paktën 212 emigrantëve, në 16 raste të ndryshme, të cilët dyshohet se lëviznin të armatosur.
Operacioni u kurorëzua pas një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në disa muaj, në bashkëpunim me autoritetet e zbatimit të ligjit nga Austria, Kroacia, Hungaria, Italia dhe Rumania, dhe të koordinuar nga Europol.
Emigrantët u paguanin shuma të mëdha kontrabandistëve për të hyrë në Bashkimin Europian në mënyrë klandestine dhe për të shkuar në destinacionet e synuara të BE.
Gjatë aksionit, forcat e policisë gjetën armë dhe mijëra fishekë, drogë dhe para kesh, ndërsa të ndaluarit janë nga Sllovenia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Ata e reklamonin aktivitetet e tyre të paligjshme në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale për të joshur sa më shumë emigrantë që të kalonin përtej kufijve, ku ndanin video se si kryheshin transporte të suksesshme.
Më konkretisht emigrantët zhvendoseshin në dy rrugëve kryesore, ose nga Kroacia nëpërmjet Sllovenisë në Itali, ose nga Serbia nëpërmjet Hungarisë në Austri.
Në cilësinë e provës materiale nga autoritetet sllovene u sekuestruan një sërë armësh, si pushkë automatike, pistoletë gjysmë automatike, silenciatorë, pushkë gjuetie me pamje optike dhe mbi 2 300 copë municione të ndryshme, lloje të ndryshme drogash, substanca dopingu, pajisje elektronike dhe para të kesh,
Emigrantët që përdornin shërbimet trafikantëve duhej të paguanin çmime të kripura për të kaluar në mënyrë klandestine në Bashkimin Europian. Një udhëtim i paligjshëm nga Serbia në Austri kërkonte një pagesë prej rreth 5 000 euro për person.
I gjithë udhëtimi nga vendi i origjinës në BE kushtonte nga 15 000- 20 000 euro, duke sjellë kështu një fitim të madh për trafikantët.
Në total, hetuesit besojnë se të dyshuarit kanë marrë të paktën 100 000 euro për transportet nga Serbia në Austri dhe mbi 3 milionë e 180 mijë euro në total.
Nga hetimet rezulton se emigrantët zakonisht hynin në Hungari përmes kufirit të gjelbër serbo-hungarez në këmbë me ndihmën e udhërrëfyesve, ku priteshin nga të dyshuarit të cilët i merrnin me makina.
Hetuesit zbuluan se rezulton se me të njëjtin mjet mund të jenë transportuar deri në 37 persona, gjë që i ka ekspozuar në rrezik ekstrem për shëndetin dhe jetën e tyre.
Pas kësaj emigrantët dërgoheshin në Hungari dhe liheshin pranë kufirit austriak.
Aty ata kalonin kufirin për në Austri në këmbë, dorëzoheshin në polici dhe do të kërkonin azil.



