Kandidati për Primaret e PD-së, Ilir Alimehemti i bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe simpatizantëve të votojnë ditën e sotme.
Në një deklaratë për mediat Alimehemti deklaroi se fushata ka qenë pozitive dhe nuk ka pasur incidente.
Ju ftoj të gjithëve të vini e të votoni për të ardhmen tuaj. Votime si këto nuk janë bërë më parë. Të gjithë kandidatët kanë pasur listën e votuesve. Janë të gjitha të dhënat. Patjetër që jo të gjithë vijnë për të votuar. Fushata ka qenë pozitive. Nuk ka pasur incidentet, vetëm situata të vogla që zgjidhen.
Nga ana tjetër, Belind Këlliçi gjithashtu kandidat n] Primaret për Bashkinë e Tiranës tha se kjo e diel është ditë feste për të dhe beteja e përbashkët e demokratëve dhe opozitës është 14 maji.
Beteja jonë e përbashkët, e të gjithë demokratëve dhe opozitës është data 14 maj, datë në të cilën qytetarët duhet të votojnë kundër këtij regjimi. Në katër vitet e fundit, qytetarët kanë humbur lidhjet me pushtetin lokal. Qytetarët kanë shërbimet më të këqija dhe kanë marrë shërbimin më të vogël dhe ka ardhur momenti që vëmendja të kthehet te qytetarët. Për mua kjo ditë është ditë feste.



