Gazetari Xhevair Zhabina, në ‘MCN Live’, ka komentuar debatet politike rreth kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e AKSHI-t, duke akuzuar mazhorancën socialiste për mungesë interesi ndaj transparencës.
Sipas Zhabinës, Partia Socialiste nuk është e interesuar që të zbardhë plotësisht çështjen, duke nënvizuar se në këtë rast, ka figura të larta të administratës të përfshira dhe të mbështetura politikisht.
Partia Socialiste, mazhoranca nuk është e interesuar për të bërë transparencë në këtë çështje. Ne aty kemi të implikuar drejtoreshën e AKSHI-t dhe ajo ka një mbështetje nga ana e kryeministrit, e mbështetur edhe në deklarata publike. Prandaj mendoj se është e painteresuar për transparencë në këtë hetim.
Ai shtoi se një komision hetimor parlamentar do të ndihmonte edhe vetë procesin e hetimit nga institucionet e drejtësisë, duke sjellë si shembull raste të mëparshme.
Komisioni do të ishte shumë i dobishëm për hetimin. Ne kemi parë që komisione të ngjashme kanë qenë shumë të vlefshme për prokurorinë, si në rastin e inceneratorëve të Tiranës.
Gazetari theksoi gjithashtu se, sipas informacioneve që janë bërë publike, çështja e AKSHI-t është më e gjerë sesa ajo që është diskutuar deri tani, duke përfshirë disa fraksione hetimore.
Po hetohen disa fraksione si Kadastra, por edhe Durana Park. Dosja e AKSHI-t është më e madhe nga sa kemi lexuar. Prandaj një komision hetimor do të ishte një vlerë e shtuar për hetimin, pasi shumë zyrtarë dyshohet se kanë lejuar funksionimin e një skeme të tillë.
Ai përmendi gjithashtu se, sipas tij, në hetime janë të përfshira edhe struktura të tjera shtetërore, ndërsa theksoi se transparenca publike do të ndihmonte qytetarët të kuptonin më mirë çështjen.
PS do bënte një gjë të madhe nëse do lejonin një komision hetimor që ti tregonin dhe interesit publik se AKSHI ka funksionuar apo jo, por duket që nuk janë të interesuar.



