
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, mblodhi dje drejtuesit e policive të Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës e Shkodrës.
Mbledhja është thirrur në lidhje me situatën e rendit, pas dy ngjarjeve të ditëve të fundit: plumbave ndaj shtëpisë së gazetares Klodiana Lala dhe vrasjes së biznesmenit Ferracaku në Shkodër.
Mësohet se gjatë mbledhjes me krerët e policisë së rretheve, Xhafaj ka kërkuar rezultate konkrete nga të gjitha strukturat, hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm si dhe efikasitet në punën hetimore, përmes bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Po ashtu, Xhafaj kërkoi nga drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, largimin nga drejtoritë vendore apo Policia Kriminale të efektivëve të paaftë dhe për të cilët ka indicie për implikim.
Ndërsa drejtuesit e policisë kanë kërkuar me shumë mbështetje nga Prokuroria, nga strukturat vendore të SHISH-it, si dhe nga institucionet e tjera si Tatimet, Doganat, Burgjet etj.



