Në Maligrad, në shtëpinë e Shën Mërisë dhe Car Simeonit (VIDEO)

Në Maligrad, në shtëpinë e Shën Mërisë dhe Car Simeonit (VIDEO)

Ishulli i Maligradit fillon dhe shfaqet në sfond. Ai qëndron “i heshtur” si një sofër gjigante në mes të Liqenit të Prespës në një ditë të ngrohtë nëntori. MCN është nisur herët nga kryeqyteti drejt juglindjes dhe ka ndaluar në majë, pak përpara së të hysh në Bashkinë Pustec, për të shijuar peizazhin.

Bashkia e Pustecit bën pjesë në rrethin e Korçës, vetëm 25 km larg qytetit.  Kufizohet në perëndim me bashkitë Pogradec, në veriperëndim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në jug me Greqinë.

Hyrja e Pustecit është e qetë. Bagëtitë janë lënë të lira në kullota, ndërsa në rrugën kryesore kalojnë tek-tuk zonjat e moshuara të fshatit. Ajo që bie në sy është Kisha e fshatit dhe sheshi përpara saj.

Këtu zakonisht zhvillohen festat tradicionale të minoritetit maqedonas që jeton në këtë zonë. Referuar regjistrit elektronik të gjendjes civile, Bashkia Pustec ka 5200 banorë.

Eftim Mitrevski, gazetar për gazetën “Prespa” e dallon që larg një grup xhirimi dhe na ofrohet për ndihmë. Ai flet për kamerën tonë, dhe ndan detyrat si një gazetar i vjetër edhe me banorët e tjerë të zonës.

Eftimi do të na flasi për të tashmen në zonë, dikush tjetër do të na shoqëroj në Ishull si guid historike, ndërsa varkëtari bën gati mjetin lundrues për të shkuar në Ishull. Mitrevski ndan me ne problemet aktuale të fshatit.

Më tej ai flet edhe për jetën e komunitetit, emigrimin ditorë drejt Maqedonisë dhe shpresat se turizmi mund të bëj ndryshimin ekonomik, si e vetmja pengesë për t’u larguar.

Zoti Eftim na lë në duart e Arben Cales, punonjës i Bashkisë në sektorin e turizmit, dhe njëherësh historian me profesion. Ai i ka kryer studimet e larta në Shkup, ndërsa rrugës për tek varka na tregon se në fshat po bëhen punime për furnizimin e zonës me ujë të pijshëm.

Ishulli ka një gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi rreth 200 metra. Ai rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij. Në këtë ishull ka bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, shpella e zgavra karstike.

Prej kohësh, banorët e zonës së Prespës shkojnë aty me varka për të kryer shërbesa e rite fetare. Ishulli nuk është i banuar, por popullohet në sezonin veror nga turistët e shumtë kurioz të historisë dhe kulturës vendase.

Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e Kishës, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë. Ajo është kisha e Shën Mërisë.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte arkeologjike që i përkasin një kishe paleokristiane, që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Sipër këtij ishulli, ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI.

Prapa kamerave Arbeni tregon se vizitorët e huaj e duan këtë ishull, pikërisht për tu ndjerë të lirë nga dinamikat e modernizmit.

Grupi i xhirimit, bëhet gati për t’u kthyer pas, ndërsa varkëtari na afron në kufirin mes tre shteteve.

Dhe me ndjesinë e keqardhjes për kthimin në botën e madhe, të zhurmshme, nisim të largohemi nga Ishulli.

Arbeni nuk na lë të shkojmë, pa na nxitur deri në fund dëshirën për t’u kthyer…më thotë se do të flasi përpara kamerave edhe për kulinarinë e zonës, më të cilën banorët krenohen, apo për tharjen e Liqeneve, Prespa e Madhe dhe e Vogël.  

Ishulli i Maligradit, në një farë mënyre konsiderohet simboli i Pustecit turistik, por ka ende punë përpara për ti mbajtur të rinjtë në fshat, pavarësisht se natyra është treguar bujare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy