Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, nëpërmjet një shënimi në ‘facebook’, duke marrë shkas nga numrat gjithmonë e më shumë në rritje të rasteve të reja me koronavirus, ka bërë thirrje që të gjithë të zbatojnë masat për mbrojtjen.
Sipas Kalos Shqipëria e ka të nevojshme kontributin e gjithësecilit prej nesh, por ai bën thirrje gjithashtu që njerëzit ti mbajnë larg veshët nga gjithologët, përfshirë edhe ata në fushën e mjekësisë. Në fund kalo jep edhe një mesazh shpresdhënës teksa deklaron se ‘ka dritë në fund të tunelit, veçse rruga deri atje është e gjatë’.
“Kohë kovidiane. Nuk është kurrë vonë për të bërë gjëra të dobishme…Fola dhe folëm….Dëgjova dhe dëgjuat….Zbatova këshillat e udhëzimet e profesionistëve që dëgjova e lëçita, e fatmirësisht edhe pse në grykën e zjarrit të Sars-Cov2/Covid-19 gëzoj shëndet të plotë e nuk jam prekur prej tij….
ju lutem që edhe ju të gjithë të zbatoni në të mirën tuaj, të fëmijëve, të prindërve, të të afërmve tuaj POR edhe të atyre që gjallërojnë përreth, vetëm e vetëm ato çka dëgjoni prej profesionistëve qofshin ata Infeksionistë, Epidemiologë, Virologë, Imunologë, Reanimatorë, Mjek të Familjes, Mjek të Shëndetit Publik, etj, etj….
larg veshëve dhe veprimeve tuaja ato çka dëgjoni prej Gjillollogëve të çdo fushe përfshirë jo rrallë edhe ata/ato të mjekësisë…Nuk ka asgjë të pamundshme në këtë virane botë ku ne jetojmë kur bëhen bashkë mirëbesimi, mirëkuptimi dhe bashkëveprimi mes jush e nesh, ruajtësve dhe përkujdesësve të shëndetit tuaj….
Jeta e gjithkujt prej jush është e paçmimtë….Shqipëria jonë e ka të nevojshme në çdo kohë kontributin e secilit prej jush…kemi ende shumë udhë për të bërë në sfidën ndaj Sars-Cov2/Covid-19, ndaj ju lutem si miku, vëllai e mjeku i juaj, që të përkujdeseni edhe më shumë e për çdo çast për veten tuaj….Ka dritë jeshile në fund të tunelit, por udha për të mbritur aty është ende e gjatë….Together forever!!!”,-shkruan Kalo.



