Një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike është zbuluar në Shijak, gjatë një operacioni policor të koduar “Përshtatja”. Në pranga kanë rënë 4 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Bëhet me dije se u arrestuan në flagrancë:
L. K., 54 vjeç, dhe J. Gj., 31 vjeç, pasi dyshohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
S. D., 24 vjeç, pasi dyshohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
R. B., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. K., 25 vjeç, (djali i shtetasit L. K), i cili dyshohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Magazina ndodhej në lagjen “Popullore” dhe ishte marrë me qira. Ajo ishte pajisur me sistem ndriçimi, ventilimi dhe ujitjeje për kultivimin e kanabisit, ndërsa furnizohej me energji elektrike përmes lidhjes së paligjshme.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 180 vazo ku ishin kultivuar bimë narkotike, mbetje kanabisi, llamba, ventilatorë, pajisje elektrike dhe mjete të tjera ndihmëse.
Të arrestuarit dyshohet se kishin organizuar dhe përshtatur ambientin për këtë aktivitet, ndërsa një prej tyre, punonjës i OSHEE-së, akuzohet se nuk ka raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë. Një tjetër person dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin dhe nuk e kishte kallëzuar. Policia vijon kërkimet për kapjen e një 25-vjeçari të përfshirë në këtë rast, si dhe hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.



