
Sot në Bruksel mbahet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një moment i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit dhe në nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave.
Takimi zhvillohet pasi Shqipëria kaloi me sukses objektivat e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, duke hapur rrugën për përcaktimin e piketave përfundimtare në kapitujt më të rëndësishëm të negociatave me BE-në.
Në fokus të diskutimeve do të jenë Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, si edhe funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Shqipëria do të përfaqësohet në konferencë nga kryeministri Edi Rama dhe ekipi negociator shqiptar, ndërsa aktiviteti është planifikuar të nisë zyrtarisht në orën 19:30.
Ndërkohë, miratimi nga vendet anëtare i hapit të ri për Shqipërinë është shoqëruar edhe me tone më të forta nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Në dokumentin final të dakordësuar javën e kaluar, vendet anëtare kërkojnë rezultate konkrete në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit.
Në veçanti, rëndësi i është kushtuar punës së SPAK-ut dhe garantimit të pavarësisë së tij nga presionet politike, ndërsa korrupsioni është cilësuar si një nga shqetësimet kryesore që kërkon progres të matshëm në vijim të procesit të integrimit.



