Partia Demokratike ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë në lidhje me tenderat aspak transparentë që janë dhënë në këtë kohë nga qeveria.
Pas tenderit për pakot ushqimore, ish deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka hedhur hije dyshimi mbi 4 tendera urgjentë të kryer nga qeveria në lidhje me nevojat që ka sjellë në sektorin e shëndetësisë koronavirusi.
Alibeaj ka bërë me dije se qeveria i ka kryer këto tendera në fshehtësi të plotë, duke mos dhënë asnjë lloj informacioni se çfarë është blerë, kush janë kompanitë fituese dhe sa para u kanë kushtuar shqiptarëve tenderat në fjalë. Demokrati më tutje është shprehur se tenderat në fjalë, janë shpallur si sekret shtetëror nga Ministria e Drejtësisë.
"Ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tendera të kryer me urgjencë për blerjen e këtyre pajisjeve. Në datën 21 Mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh: të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore, të blejë kite për laboratorin e QSUT-së, të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID 19, të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë", tha ai.
Alibeaj tha se mungesa e transparencës është skandaloze.
"Ka zero të dhëna si u përzgjodhën kompanitë fituese, ka zero informacion për ofertat e kompanive. Ka zero informacion për kriteret e cilësisë së mallit të blerë. Urdhri i Edi Ramës për klasifikimin sekret të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë do të thotë se shqiptarët nuk lejohet të dinë sa lekë kushtuan 3 kontratat e miratuara më datë 3 prill. Duke ndaluar çdo informacion për këto tendera askush nuk llogarit dot sa kushtuan gënjeshtrat e Edi Ramës në muajin shkurt dhe mars se Shqipëria ishte e mirëpajisur dhe e përgatitur për epideminë", tha ai.



