
Imazhet e zbuluara në muret e një shpelle në Borneo i zhvendosin në juglindje të Azisë dëshmitë e para të shfaqjes së artit figurativ. Imazhet e kafshëve të egra dhe pëllëmbës së dorës datojnë rreth 40 000-52 000 vjet më parë, çka i bën këto figura dëshmitë më të hershme të artit figurativ, thuhet në konkluzionet që një grup arkeologësh kanë botuar në revistën “Nature”.
Evropa Perëndimore është konsideruar tradicionalisht se djepi i artit parahistorik, për shkak të vizatimeve të gjetura në shpellat e epokës së gurit në Francë dhe Gjermani. Por mesa duket, banorët e Azisë Juglindore kanë rikrijuar imazhe të jetës së përditshme edhe më përpara se ta bënin europianët.
Studimi ndihmon në ribalancimin e një prirjeje euro-centrike në përcaktimin e fazave të evolucionit të njerëzimit. Gjithashtu, ky zbulim ngre pyetjen si ka mundësi që një nga karakteristikat që ne i konsiderojmë unike për njerëzit, pra arti figurativ, nuk u shfaq një herë por dy herë, në skaje të kundërta të asaj që atëherë ishte bota e banuar.
Studiuesit janë endur me javë të tëra në xhunglën e Kalimantanit Lindor, një provincë e Borneos indoneziane, për të studiuar vizatimet në muret e shpellave parahistorike. Mijëra imazhe të tilla gjenden në 52 sajte arkeologjike dhe janë dokumentuar për herë të parë në vitin 1992. Por mosha e tyre është përcaktuar vetëm kohët e fundit.
Në Europë, gjurmët më të hershme të artit pamor janë vizatimet e luanëve, kuajve dhe kafshëve të tjera në shpellën Chauvet në Francë. Ato datojnë rreth 30 000-33 000 mijë vjet më parë. Afërsisht të njëjtës periudhë i përkasin edhe vizatimet e gjetura në disa shpella në Gjermani, që datojnë rreth 35 000 – 40 000 vjet më parë.
Studiuesit e rastit të Borneos thonë se qëllimi i tyre nuk është të nxisin një debat për shfaqjet më të hershme të artit. Ata e vënë theksin te fakti se kjo kulturë e hershme nuk lindi vetëm në një rajon të caktuar, pra në Europë, dhe më pas të përhapet ngadalë në pjesë të populluara të botës.
Gjetjet tregojnë se arti i shpellave u shfaq në periudha të përafërta kohore në dy skaje të largëta të Euroazisë paleolitike: një në Europë dhe një në Indonezi.
Teorikisht është e mundur që arti figurativ ka lindur vetëm njëherë, shumë më herët nga sa ne e mendojmë dhe më pas u përhap në këto dy zona. Por kjo teori ende nuk është bazuar në prova.



