Pas kontrolleve për aferën “Kayo”, pjesë e hetimeve të SPAK mësohet se është edhe origjina e autoblindës “Shota”, e prezantuar si prodhimi i parë i një automjeti “Made in Albania” blind dhe ushtarak.
Ky automjet u prezantua për herë të parë nga ish-Ministri i Mbrojtjes sot kryeparlamentar Niko Peleshi dhe Arjeta Puca edhe në panair në Francë, por tashmë si pjesë e hetimeve më të mëdha të aferës “Kayo” mbetet për tu parë se kush do të përgjigjet edhe për shotën.
Lidhur me këtë, i ftuar në emisionin “Fact Check” në MCN, Drejtori i Përgjithshëm i MCN, Endri Meksi, tha se një autoblind nuk mund të ndërtohet nga e para brenda 3 muajve.
Nuk mund të bëhet një autoblind për 3 muaj. Absolutisht që jo. Ky është një proces që bëhen ndryshime në motor, ndryshohen pjesë të ndryshme që nga amortizatorët, pjesë të motorit, e bën më sportive, i heq dyert, por kjo nuk quhet makinë e re, është makinë e modifikuar në aspektin që e lejon ligji. Do të ishte më mirë për ata të thoshin kemi bërë ndryshime në strukturë.
Sipas Meksit, kemi të bëjmë me një makinë ekzistuese të modifikuar në strukturë, amortizatorë dhe motor, e cila është quajtur "Shota" për të krijuar një "show" për publikun dhe për të mbuluar lëvizjen e dhjetëra miliona eurove nga buxheti i shtetit.
Janë biznesmenë të papërgjegjshëm. Brenda këtyre aferave ka edhe aventurierë, këtu është para publike pafund. Në momentin që këmbëngulin duke thënë se është prodhim shqiptar, për mua duan që të bëjnë një show para shqiptarëve. E bëjnë për të justifikuar vlerat e mëdha monetare që janë marrë nga buxheti i shtetit. Këtu flasim për lëvizjen e dhjetëra miliona eurove për një makinë të modifikuar.



