
Besimtarët myslimanë nisin sot muajin e shenjtë të Ramazanit, agjërimin që zgjat një muaj. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.

Kryeministri Ed Rama i ka uruar agjërim të lehtë besimtarëve myslimanë, që nisin sot muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama në një postim në Facebook.
Presidenti Ilir Meta ka uruar ditën e sotme të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit. Meta ka ndarë foton e xhamisë së Plumbit në Vlorë, dhe përkrah saj shkruan se i bashkohet urimit për agjërim të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari që Zoti t’i falë mëshirën e tij dhe t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë.

Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka uruar ditën e sotme besimtarët myslimanë për Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Kryemadhi shkruan në rrjetet sociale se ky është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave.
Ky është viti i dytë radhazi që besimtarët myslimanë janë të kushtëzuar për shkak të masave të vendosura për parandalimin e Covid-19.



