GJKKO pritet të caktojë sot masat e sigurisë për zyrtarët dhe biznesmenët që dyshohet se kanë abuzuar me tenderat e AKSHI-t, që po hetohen nga SPAK në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gazetari Arsen Rusta bën me dije se SPAK dhe BKH ka nisur gjithashtu një hetim pasuror për të dyshuarit. Po ashtu burime për Mcn Tv bëjnë me dije se janë sekuestruar prova të vlefshme për hetimin. Mësohet se dy biznesmenët Agasi dhe Beqiraj janë larguar nga Shqipëria më 13 dhe 14 dhjetor.
“Në mesditë pritet që të dalin për herë të parë me një masë sigurie, drejtuesja e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, vartësja e saj Hava Delibashi, nr.2 i Policisë së kryeqytetit i pezulluar Erion Ismaili, por edhe biznesmeni Andis Papa, Gëzim Hoxha biznesmen, Rogers Rryta biznesmen, me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe detyrim paraqitje. Për biznesmenin Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, gjithçka do të bëhet në mungesë. Mbetet për t’u parë nëse do të sjellin apo jo avokatin e tyre për t’u njohur me materialet e procedimit penal. Ata vijojnë të jenë në kërkim. Jo zyrtarisht mësohet se në datën 13 dhe 14 dhjetor biznesmenët janë larguar nga Shqipëria ndërsa gjykata ka miratuar masat e sigurisë më 15 dhjetor. Kemi vepra penale të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale, me pengmarrje, kërcënim, ndikim dhe favorizim të kompanive në tendera publik. Të gjitha akuzat sjellin edhe hetimin pasuror të cilin SPAK dhe BKH është duke e kryer. Burime për Mcn bëjnë me dije se janë sekuestruar prova të vlefshme për këtë hetim”.
Lidhur me paraqitjen e ish-Presidentit Meta në SPAK për 21 janarin, Rusta bën me dije:
“Pas pak minutash pritet që ish-Presidenti Meta të kërkojë revokimin e afateve të paraburgimit. Ai do të jetë përballë prokurorit Alfred Shehut, ku me kërkesë të vet Metës, ai do të deklarojë çfarë di për 21 janarin. Z.Meta ka kërkuar vet të deklarojë dhe është e pamundur që prokurori të refuzojë një subjekt që do të japë deklarime për një çështje penale”.



