
Ndihmës-trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, komentoi në emisionin “Skaner” në MCN TV, shortin për kualifikueset e Euro 2024, ku Shqipëria është vendosur në Grupin E, me ekipe si Polonia, Çekia, Moldavia dhe ishujt Faroe.
Salihi deklaroi se Shqipëria ka lojtarë shumë të mirë, por këta duhet të jenë edhe për ndeshjet kualifikuese dhe jo të mungojnë, siç ndodhi në ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.
Gjithashtu ai tha se Shqipëria ende nuk mund të përballet si duhet me kombëtare të mëdha, si Franca, Spanja apo edhe Anglia.
Jemi të gjithë një mendje, që nuk jemi ende në rrugën e duhur për tu përballur me ekipe të mëdha, si Franca dhe Spanja. Me Poloninë dhe Çekinë janë ndeshje për tu luajtur. Kemi lojtarë të mirë dhe mund të bëjmë ekip të mirë. Mos të harrojmë, që lojtarët e mirë që kemi, të mos na mungojnë për ndeshjet vendimtare. Nëse i kemi lojtarët, mund t’i luajmë këto ndeshje.
Ne në letër, kur i marrim lojtarë, njëri luan te Chelsea, tjetri te Interi, tjetri te Atalanta, por kur vjen ndeshja, ne shikojmë nëse i kemi apo jo këta lojtarë.
Kur jemi në vazo të tretë, kushdo që do bjerë, do jetë më lartë. Ekipe si Franca, Anglia, Spanja, nuk të lejnë histori dhe shyqyr i evituam. Me këto ekipe tani, do i luajmë deri në fund.
Nuk kam kontaktuar ende me trajnerin Reja. E kam thënë edhe më parë, nëse të gjitha gjërat janë në kohën dhe në momentin e duhur, ne mund të bëjmë më mirë. Mos harrojmë se jemi Shqipëria dhe e kemi të vështirë për tu bërë një ekip që dhuron spektakël në fushë. Në eliminatoret e kaluara, arritëm të konsolidojmë mbrojtjen, se kishim probleme. Tentuam në Ligën e Kombeve, që të fusim cilësi.
Nuk kam menduar asnjëherë për të ardhmen, mendoj sot për sot. Mendojmë për ndeshjen e radhës. Si do vijnë gjërat nuk e di. Unë e kam thënë që do të vazhdoj të merrem me sport. E kam bërë me kënaqësi dhe dëshirë të madhe punën në Kombëtare.



