Strehimi i bosit të kriptomonedhës “Thodex” Faruk Fatih Ozer në Shqipëri, ka ndezur debate në shtetin turk. Sipas medias turke “Sabah”, Ozer është duke qendruar në Shqipëri dhe i ka shpëtuar deri më tani operacioneve të kapjes nga policia shqiptare duke dhënë rryshfet.

Sipas raportimit të tyre, Faruk Fatih Ozer ka paguar 350 euro rryshfet për t’i shpëtuar kapjes dhe aktualisht është duke kontaktuar me persona të lidhur me mafian në jug të Shqipërisë me qëllim arratisjen me gomone për në Itali.
Më herët, mediat turke publikuan pamje nga momenti kur ai ishte paraqitur në sportelin e një hoteli në Tiranë ku prenotoi për tre netë, por ndenji vetëm dy, sepse kuptoi që po ndiqej nga policia.

Edhe media turke “EnSonHaber” shkruan se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Ozer u vendos në një hotel pranë zonës së “Zogut të Zi” në Tiranë duke prenotuar tre netë, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.




