
Një sherr i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme mes nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, në afërsi të këtij institucioni arsimor. Përveç grushteve dhe shqelmave, të rinjtë kanë përdorur edhe sende të forta, duke përfshirë konet e parkimit për të goditur një të ri në grup.
Gazetari Besmir Pula pohon në “MCN Live” se ngjarja ka ndodhur mu para rrethimit të shkollës, ndërsa policia ka shoqëruar 7 të mitur për veprime të mëtejshme.
Sipas Pulës, rastet e tilla konflikti zakonisht pushohen nga hetimi.
Ngjarja ka ndodhur dje, ku nxënës të shkollës janë përfshirë në një përleshje të dhunshme, duke përdorur grushte dhe sende të tjera, përfshirë konat e parkimit. Policia ka konfirmuar se të rinjtë e përfshirë janë nxënës të shkollës dhe ngjarja ka ndodhur pranë rrethimit të saj.
Sipas informacionit të policisë, ngjarja nisi pasi dy persona iu afruan një të tretë dhe kërkuan që ai të sqaronte diçka. Kur ky i fundit refuzoi, situata eskaloi dhe u përfshinë edhe disa të rinj të tjerë. Në përleshje, njëri prej të rinjve ka përfunduar në spital, por ka lënë menjëherë spitalin pas trajtimit.
Komisariati Nr. 3 i Tiranës më ka konfirmuar se pas hetimeve të para, janë marrë në pyetje vetëm 7 të rinj, të gjithë të mitur. Rëndom për shkak se bëhet fjalë për të mitur, rastet e tilla zakonisht pushohen nga hetimi dhe përfundojnë me masa të lehta, si dënime me gjobë dhe burgim deri në 6 muaj.
Ajo që është shqetësuese është për mungesën e reagimit nga ana e sigurisë shkollore dhe policisë gjatë ngjarjes. As roja i shkollës dhe as oficerët e sigurisë nuk ndërhynë për të ndalur sherrin.
Ngjarje të tilla janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, me përfshirjen e të rinjve në sherre dhe konsumimin e lëndëve narkotike. Megjithatë, rastet e tilla, duke qenë se janë të përfshira nga të mitur, shpesh mbyllen nga hetimi dhe nuk shkojnë deri në masa më të rënda.



