
Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar me ambasadorin e Hungarisë Lorant Balla me të cilin kanë folur për një sërë çështjesh.
Berisha deklaron se në veçanti, e ka informuar ambasadorin “mbi farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë”.
Një proces ky unik në histori gjithashtu për shkak të presionit të papranueshëm të ushtruar mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri nga kanale ekstra-politike dhe diplomatike, tërësisht në shkelje të parimeve më themelore të shtetit të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, e sigurova Ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare.
Më tej Berisha e ka falënderuar në emër të Partisë Demokratike, për të gjithë miqësinë e vyer historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze, por dhe për rolin e veçantë të mikut dhe Kryeministrit Orban, në intensifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i pakursyer i Partisë Demokratike dhe kauzave tona konservatore, në promovimin e vlerave më të drejta kombëtare dhe të familjes. Takimi ishte i hapur.




