Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç tha sot për gazetën beogradase, "Veçernje Novosti" se ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kohë më parë në Kongo kishte dërguar njeriun e vet me 500 mijë dollarë në mënyrë që ta bindte qeverinë e atjeshme për ta njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës”.
Gazeta thotë se në fillim të majit, Pacolli njoftoi se Kongo së shpejti do ta njihte Kosovën, porse “në Beograd kishte arritur shumë shpejt nota e Ambasadës së Kongos, me të cilën ishte përgënjeshtruar paralajmërimi” .
Një konfirmim shtesë se Kongo nuk do të ndryshojë qëndrimin e vet lidhur me këtë çështje, ministri Daçiç, e ka marrë nga presidenti i këtij vendi Félix Tshisekedi, me të cilin është takuar.
Sipas kreut të diplomacisë serbe, i cili ka vizituar shtatë vende të kontinentit afrikan gjatë dhjetë ditëve të fundit, Kongo nuk është adresa e vetme ku Pacolli dërgoi emisarët tij.
Pas bisedave që ka pasur në Tanzani, Togo, Ganë e Svazilend, shtete që e njohin pavarësinë e Kosovës, Daçiçi ka thënë se beson se këto shtete, të paktën, do të jenë të përmbajtura gjatë votimin për anëtarësim të Kosovës në UNESCO e Interpol.
Daçiç ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë me lobimin për tërheqje të njohjeve të Kosovës pavarësisht presioneve që ka për t’i ndërprerë këto aktivitete.



