
Ka nisur me tensione edhe kjo seancë e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, ku do të diskutohet dhe miratohet buxheti i vitit 2024.
Gardistët janë vendosur “gardh” tek dera e Kuvendit duke kontrolluar deputetët e opozitës, të cilët në seancën e kaluar futën në sallë mjete piroteknike.
Deputetja Albana Vokshi u ka kërkuar gardistëve të tregojnë urdhrin për kontrollet, dhe u ka bërë thirrje të dalin jashtë sallës dhe të mos keqpërdoren nga mazhoranca.
“Nuk mbroheni dot me gardë! Dilni përjashta!”, është shprehur Vokshi.
“S’ju vjen zor, e keni kthyer shtet policor”, dëgjohet duke thënë Gazment Bardhi.
Deputeti Flamur Noka akuzoi mazhorancën se po përdor gardistët "si mish për top", duke paralajmëruar padi.
Sali Berisha deklaroi se Rama pengon komisionet hetimore parlamentare, pasi ato do ta damkosnin kryeministrin para syve të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Sot pritet një seancë maratonë për të diskutuar dhe miratuar buxhetin e vitit 2024.
Vihet re një prani e shtuar e punonjësve të Gardës, që kanë rrethuar foltoren, duke mos lejuar Berishën dhe Bardhin që ta bllokojnë.



