Një burrë 71-vjeçar goditi me thikë për vdekje një djalë 6-vjeçar dhe plagosi rëndë nënën e tij në periferinë jugore të Plainfield, Illinois, SHBA sepse ata ishin myslimanë.
Kjo është konfirmuar nga Zyra e Sherifit të Qarkut Will, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Gruaja 32-vjeçare telefonoi policinë, duke thënë se pronari i saj e kishte sulmuar me thikë.
Deputetët e qarkut dhe oficerët nga Departamenti i Policisë Plainfield mbërritën në vendngjarje dhe gjetën burrin 71-vjeçar, Joseph M. Czuba, të ulur në tokë pranë rrugës së shtëpisë.
Ai kishte një prerje në ballë dhe më pas u transportua në një spital lokal.
Më pas oficerët gjetën dy viktima, një grua 32-vjeçare dhe një djalë 6-vjeçar, brenda në dhomën e gjumit. Të dy kishin pësuar disa dhjetëra plagë me thikë në gjoks, kraharor dhe krahë.
Fëmija, i goditur me thikë 26 herë, u transportua në gjendje kritike në një spital lokal, ku më vonë u deklarua i vdekur gjatë pasdites së të shtunës. Gruaja është dërguar në spital në gjendje të rëndë, por pritet të dalë jashtë rrezikut për jetën.
Czuba u akuzua për vrasje të shkallës së parë, tentativë për vrasje të shkallës së parë dhe krime me bazë urrejtjen.
I dyshuari nuk bëri asnjë deklaratë, por hetuesit zbuluan se ai kishte vënë në shënjestër viktimat sepse ishin myslimanë dhe për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme që përfshin Hamasin dhe Izraelin.



