Një seri fotosh tregojnë se si të pastrehët futen në varre për t’i shpëtuar të ftohtit. Fotot janë realizuar në Teheran, Iran.
Sipas një gazete lokale, mbi 50 njerëz jetojnë në varre boshe në një varrezë në periferinë Shahriar, pranë kryeqytetit.
Fotot u publikuan fillimisht nga gazeta “Shahrvand” dhe më pas u bënë virale në mediat sociale perse.
Shoqatat vendase janë ofruar për t’u dhënë ndihmë të pastrehëve, shumë prej të cilëve vuajnë nga varësia ndaj drogës ose problemet mendore.
Ndërsa autoritetet vendase kanë premtuar se do ta zgjidhin këtë situatë. Regjisori i njohur Iranian, Asghar Farhadi, i ka drejtuar një letër të hapur presidentit të Iranit, Hassan Rouhani, të cilit i kërkon ndërhyrjen e qeverisë.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se Irani ndodhet në kulmin e një epidemie kombëtare droge, e cila ushqehet nga heroina lehtësisht e aksesueshme nga Afganistani, prodhuesi më i madh i kësaj droge.



