
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i kërkon bashkëpunim partisë nga e cila u shkëput pak muaj më parë. Në një emision në RTV Dukagjini, Ahmeti ka folur për ofertën finale që i ka dorëzuar ish-subjektit të tij politik, Vetëvendosjes, për bashkëqeverisje në Prishtinë.
“Jam i interesuar që të kemi koalicion me VV-në dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Karshi numrit të asamblistëve që kanë, unë i kam ofruar më shumë drejtori në komunë”, tha ndër të tjera Ahmeti.
Ofera e kryetarit të Prishtinës vjen pasi ai është përballur me probleme të qeverisjes në kryeqytetin e Kosovës.
Ahmeti i ka ofruar VV-së katër drejtori, duke i ofruar mundësinë e zgjedhjes së drejtorisë së katërt në mes të Drejtorisë së Shërbimeve Publike ose Drejtorisë së Administratës, raporton “Zëri”.
Në rast të arritjes së marrëveshjes mes PSD-së dhe VV-së për bashkëqeverisje, atëherë ndarja e drejtorive në Komunën e Prishtinës do të jetë si vijon: ”PSD – 3 drejtori, AKR – 3 drejtori, AAK – 3 drejtori, LB – 1 drejtori, Alternativa – 1 drejtori dhe VV – 4 drejtori.
Një muaj më parë, Ahmeti u zgjodh në krye të Partisë Socialdemokrate, forcë e re politike që u formua nga një grup deputetësh të larguar nga Vetëvendosja.



