
Kryeministri Edi Rama në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit nga sheshi “Skënderbej”, tha se vetëm Partia Socialiste ka në dorë fatin europian të Shqipërisë.
Ai deklaroi se është fati që i ka zgjedhur që ta ulin Shqipërinë në sallonin e Bashkimit Europian.
Sipas tij, vetëm Shqipëria 2030 në BE e blindon përfundimisht pa asnjë mundësi prapakthimi, themelin e barazisë para ligjit që qeveria socialiste pati mundësi që ta hedhë.
Ne dhe vetëm ne dhe askush tjetër, kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë.
Kemi 30 ditë përpara për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar e shqiptare që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e Bashkimit Europian dhe veten e vet qytetarë e qytetare të barabartë të Europës.
Sot na ka zgjedhur ne fati që të shtyjmë gurin e fundit, duke e vendosur njëherë e mirë në këndin e ndërtesës europiane. Aty ku së bashku do të ngjisim edhe flamurin më të bukur në botë.
Kjo është dekada e ardhjes së fatit europian të Shqipërisë në dorën tonë, ku si asnjëherë më parë që kur dolëm nga ferri komunist, Bashkimi Europian ka shkuar përtej fjalëve dhe premtimeve dhe ka hapur portën e madhe duke na dhënë një afat për të mbyllur negociatat dhe për të nënshkruar marrëveshjen e hyrjes sonë në atë shtëpi të ëndërruar, 2027.
Viti 2025 është jubilar, kur gjëmimet dhe kanosjet e luftës në dyert e Europës dhe rrëmuja gjeopolitika paralajmërojnë sfida të mëdha përpara.
Ne shqiptarët nuk mund ta humbim takimin me historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit. Se sado komike të duket, kjo është e vërteta, të takosh historinë apo të futesh në mustaqet e Kujtim Gjuzit.
Kjo është koha jo të nisim fushatën elektorale të radhës, por kuvendimin e radhës të maleve e fushave, të qyteteve dhe fshatrave, të shqiptarëve dhe shqiptarëve përtej të majtës dhe të djathtës, për Shqipërinë zonjë në sallonin e Bashkimit Europian.
Është koha të jemi të barabartë me çdo qytetar europian, kur nuk duhet të ketë asnjë shans për ta parë shqiptarin nga lart poshtë.
Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re, një vend në një tjetër pozicion, si një shtet anëtar në Bashkimin Europian.
Në atë familje askush nuk e vë dot në pikëpyetje barazinë para ligjit, të cilën ne socialistet e kemi sjellë të parët në Shqipëri.
Se që nga viti 1912 nuk ka pasur një individ të veshur me pushtet politik që të jetë hetuar dhe gjykuar nga një sistem drejtësie i pavarur.
Në 11 maj zgjedhja nuk është mes ca partive, por mes Shqipërisë 2030 në BE dhe Shqipërisë drejt e në gropë.
Me ne ose me kënetën madhështore dhe me shitësat e qilimeve fluturues rreth saj.
Vetëm Shqipëria 2030 në BE e blindon përfundimisht pa asnjë mundësi prapakthimi, themelin e barazisë para ligjit që qeveria socialiste pati mundësi që ta hedhë.



