Qeveria e Turqisë ka marrë angazhimin për ndërtimin e 500 shtëpive të reja për të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas që preku vendin tonë, e që shkaktoi 51 viktima gati 1 mijë të plagosur e dëme të mëdha.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, si dhe ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja.
Në fjalën e mbajtur, ministri turk Murat Kurum, deklaroi se sot firmosim protokollin e parë për realizimin e këtij projekti dhe jemi të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë edhe në çështje të tjera.
“Presidenti Erdogan dha porosi për të ndërtuar 500 banesa të reja. Do të jetë një lagje shembullore, dhe ndërtimi do të përshtatet me arkitekturën dhe traditën shqiptare”, theksoi Kurum.
Ministri tuk bëri të ditur se qeveria e Turqisë iu gjend Shqipërisë pranë që në moment e para pas tërmetit.
“Ne i ndodhemi sa më pranë vëllezërve tanë shqiptarë. Ekipet tona erdhën dhe bënë përpjekje për të ndihmuar sa më shumë njerëz. Ekipet tona kanë verifikuar në terren 6 mijë njësi të pavarura dhe kemi ofruar ndihma të veçanta”, theksoi Murat.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me projektin për ndërtimin e 500 banesave të reja në Laç do t’i hapim rrugë një transformimi rrënjësor në funksion edhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi më të mira se sa ato që kishin”.
Kryeministri Rama i pranishëm sot në firmosjen e marrëveshjes për ndërtimin e 500 njësive të reja banimi mes ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ministrit turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum.
“Jemi këtu për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për rindërtimin urban, sikurse është bërë e ditur dje gjatë një konference për shtyp mes të dy ministrave. Tanimë jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në këtë moment të nënshkrimit për të vazhduar me zbatimin e këtij programi bashkëpunimi”, tha Rama.
Ai theksoi se “janë 500 njësi të reja banimi që ndërtohen nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi të Presidentit Erdogan dhe ne kemi zgjedhur pikërisht zonën e Laçit”.
“Ne besojmë se me këtë projekt do t’i hapim rrugë një transformimi rrënjësor në funksion edhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi më të mira se sa ato që kishin”, tha Rama.
Ndërtimi i 500 shtëpive në zonën e Laçit, e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit pritet të përfundojë brenda korrikut të këtij viti.



