
Deputetja demokrate Ilda Dhori në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN Live ka komentuar lidhur me zhvillimet më të fundit brenda Partisë Demokratike për të cilën u shpreh se situata ku ndodhet PD nuk është e lehtë.
Ajo deklaroi se e vetmja rrugë zgjidhje ku duhet të kalojë aktualisht PD është bashkimi i demokratëve, ndërsa theksoi se vendimet e gjykatës thjeshtë zvarrisin procesin. Sipas saj ulja e ritmit të procesit do të ishte ideale për gjithë përfshirjen e demokratëve, pasi dhe interesi i të gjithëve mbete bashkimi mes palëve.
Situata nuk është e lehtë ku ndodhet PD, por të gjithë kolegët u shprehën se e vetmja rrugë ku duhet të kalojmë tashmë është bashkimi i demokratëve. Personalisht kam kërkuar se nga kjo mbledhje e gjatë ne duhet të dilnim jo vetëm me mesazhin e bashkimit, por duhet të dilnim dhe me akte dhe veprime, vendime që do ti shërbenin konkretisht bashkimit.
Jemi në një fazë që s’duhet të kemi më eufori nga njëra palë apo tjetra. Procesi në gjykimin tim është i pashmangshëm sepse ne jemi një parti që s’kemi një kryetar të zgjedhur nga demokratët, prandaj jemi në fazën që procesin duhet ta nisim nga baza për të arritur një gjithë përfshirje të demokratëve.
Ulja e ritmit në degë të caktuar do ishte pozitive, në mënyrë që të ishte dhe më rezultativ. Jam shprehur se do të bëj të pamundurën për gjithë përfshirjen e demokratëve në proces për një proces që të bëjë PD një alternativë fituese në zgjedhjet e radhës. Nuk mendoj se jemi në kushte që vendimet e gjykatës vendosin për fatin e PD, dhe nuk e di se në çfarë problemesh të tjera mund ta fusin PD këto procese gjyqësore, vendimet e të cilës vetëm zvarrisin procesin.



