
Grabiten për herë të dytë brenda pak ditësh dokumente të Prokurorisë së Durrësit. Persona të paidentifikuar që kanë hyrë në zyrat e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Durrësit dhe kanë marrë prej andej dokumente e materiale të ndryshme.
Mungesa e dokumenteve është konstatuar mëngjesin e sotëm. Denoncimi u bë nga pastruesja e cila sapo ka mbërritur në punë ka pikasur dyert e dëmtuara të prokurorisë.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se grabitësit kanë hapur me sende të forta derën e Zyrës së Serverit, ku kanë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë etj. Po kështu, është konstatuar se këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyrë të oficerëve të policisë gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës, kur Godina e Prokurorisë ruhej nga punonjësit e Policisë Private.
Dyshohet se autorët janë futur nga kabina elektrike që ndodhet pas prokurorisë dhe më pas kanë kaluar në dritaret e tualetit të objektit. Vjedhja ka ndodhur në zyrat e katit të katërt dhe të pestë.
Ky është rasti i dytë i kësaj natyre brenda pak kohësh në këtë institucion. Më 8 maj u grabit me dhunë posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit. Autorët dhunuan postierin dhe i morën çantën me dokumente.



