
Trajneri Artan Mërgjyshi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, komentoi situatën e Dinamos këtë sezon, që është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Sipas Mërgjyshit, përgjegjësi kryesor te blutë, është presidenti Adrian Bardhi.
Ai u shpreh se goditja finale Dinamos, iu dha kur u largua trajneri Bledar Devolli dhe u emërua italiani Rodolf Vanoli.
Për Dinamon është folur shumë dhe gjatë. Të gjithë kanë shprehur keqardhjen e tyre, sepse është markë e futbollit tonë. Për mënyrën si u prezantuan në fillim, edhe me dashakeqi, nuk do e mendonte se do luftonin për mbijetesë. Situata mori për dreq. Është një situatë që nuk mund të vendosësh gishtin te fajtori. Përgjegjësia shpërndahet tek të tre trajnerët. Gabimi më i madh i Dinamos, ishte ardhja e Vanolit. Në momentin që Dinamo po jepte shenja jete me Devollin, ata ndryshuan trajnerin.
Për mua as Shkëmbi nuk ka faj, atë e ka presidenti. E gjithë përgjegjësia bie te presidenti. Që nga fillimi ka bërë zgjedhje të gabuara. Nuk është gabim që u vendos Shkëmbi trajner, pasi ka emër si trajner dhe ka eksperiencë. Në fillim të sezonit askush nuk e mendonte Dinamon në këtë situatë.



