Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një status në Facebook pas prezantimit të strukturës së re ‘Forca e Ligjit’ dhe deklaratave të forta të ambasadorit të SHBA, Donald Lu. Ky i fundit u shpreh sot se në Shqipëri krimi shpesh lidhet me politikën dhe kjo e ka bërë drejtësinë të dështojë përballë tij në disa raste.
Në postimin e tij, Rama shprehet se sufta me krimin nuk është lojë politike, por një erë e re që do të fryjë në drejtësinë shqiptare.
“Prezantohet Operacioni Policor Forca e Ligjit dhe Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit kundër Krimit të Organizuar, e cila do të asistohet në terrenin e kësaj faze të re të luftës me krimin, nga agjentë të FBI dhe të disa agjencive prestigjoze kundër krimit në Gjermani, Itali dhe Britaninë e Madhe –
LUFTA ME KRIMIN NUK ËSHTË LOJË POLITIKE dhe mes qeverisë që lufton krimin e atyre që luajnë politikisht e mediatikisht me krimin për baltosjen e qeverisë, dallimi është i qartë: Nga LUFTA fiton Shqipëria dhe njerëzit e zakonshëm të saj.
Ndërsa nga LOJA ziejnë kazanet e politikës e të medias që helmojnë papushim opinionin për hesape mizerabël, politike e financiare, por EDHE PËR TË PENGUAR DREJTËSINË E RE që po vjen”.



