Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe mjekët do të marrin një shpërblim për festat e fundvitit, sipas një vendimi botuar në fletoren zyrtare.
Pas pensionistëve, këto dy kategori do të jenë të vetmet që do të marrin shpërblimin, si më të rrezikuarit dhe në frontin e parë me Covid-19 për shkak të detyrës.
Ende nuk është miratuar sa do të jetë shuma e shpërblimit, por vendimi për përfitimin e tij ka hyrë menjëherë në fuqi.
Kujtojmë se vitin e kaluar, qeveria përjashtoi nga shpërblimet e fundvitit të gjithë punonjësit e administratës, ndërsa këtë vit ky vendim ka pësuar ndryshime, duke përjashtuar punonjësit e policisë dhe mjekët nga ai vendim.
“U miratua vendimi për një shtesë në vendimin nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar në mbështetje të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi: në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimi kufizues sa më sipër nuk aplikohet për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e Policisë së Shtetit, mënyra e pagesës së të cilave përcaktohet, përkatësisht, nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit””, thuhet në dokument.



