
Politologu Ilir Kalemaj tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se vendimi i Ramës për mos rritje të çmimit të energjisë elektrike gjatë tetorit ishte një koncesion për çështjen.
Kalemaj deklaroi se ajo që doli zbuluar ishte që ERE nuk ka autonomi formale nga kryeministri.
Politologu u shpreh duhet një “mea culpa” dhe llogaridhënie pse janë lejuar ndërtimet pa leje, duke shtuar se kryeministri jo vetëm zhbëri ligjin aktual, por ka hapur një dritare ku mund të shpëtojnë abuzuesit.
Natyrisht që Rama i ballafaquar me presionin në rritje, qoftë në formën e protestave, pakënaqësisë popullore që mund ta ndëshkojë me votë, u mundua të bëjë një koncesion në çështjen e faturave të energjisë. Ajo që doli zbuluar është që ERE s’ka autonomi formale”.
Duke u ndalur te VKM-ja për ndërtimet pa leje, Kalemaj tha:
Është shtyrë në kalendat greke gjithë çështja e Reformës në Drejtësi. Nuk kemi sipar përmbyllës të kësaj reforme. Duke qenë se drejtësia ka qenë arbitrare, e njëanshme, shpesh herë në një linjë me qeverinë, në këtë sens nga kush pret z.Rama?! Kush është përgjegjës dhe fajtor për sistemin e drejtësisë. Nëse ti thua që kjo është reforma kryesore e 10 viteve të fundit, ti duhet të marrësh përsipër mangësitë. Duhet të ketë një ndjenjë reflektimi më të fortë dhe ‘mea culpa’. Kjo është më tepër një amnisti fiskale dhe penale që bën kryeministri. Ku ishte inspektori i lagjes, që nuk shikoka këto kulla që janë në mes të Tiranës, disa metra larg ministrive apo Kryeministrisë. Duhet të ketë një ‘mea culpa’ shumë të fortë dhe llogaridhënie pse është lejuar. Gjithë kjo demagogji që po bëhet me VKM bie ndesh me ligjin ekzistues. Çdo gjë konfiskohet për llogari të shtetit, ose duhet të prishet nëse është mbi 2 për qind të shtesës. Kryeministri jo vetëm ka zhbërë ligjin aktual, ju jep një dritare nga ku mund të shpëtojnë këta që kanë abuzuar me ligjin”.
Sa i takon paketave anti-krizë, Kalemaj theksoi se qeveria shqiptare ka bërë shumë pak, edhe nëse e krahasojmë me rajonin.
Nuk kemi lidhje jo vetëm me Evropën Perëndimore, por as me rajonin. Gjermania dje dha 200 miliardë euro që e tejkalon me 10-fish GDP-në e Shqipërisë. Po flasim për standard ballkanik, mjaft të shikojmë në Kosovë, Serbi, Malin e Zi, ku minimalisht janë dhënë 100-150 euro për shtresat në nevojë, pensionsitët, studentët. Në Shqipëri indeksimi shkon 1200, 1300 lekë, ndërkohë që inflacioni është dyshifror, të gjitha produktet e shportës janë rritur ndjeshëm. Kjo bën që mbi 50 për qind e buxheteve të shkojë për ushqimet. Një familje normale apo pensionistësh nuk ka të shtyjë muajin në drejtim të konsumit. Nuk është rritje por indeksim, është e pamjaftueshme”.
Lidhur me sulmin e kryeministrit ndaj mediave, Kalemaj vuri në dukje që gjatë intervistave me prestigjioze gjermane, franceze, britanike, Rama u përgjigjet pyetjeve të forta të gazetarëve.
Politologu u shpreh pro përfshirjes së simpatizantëve në votimet e primareve, duke shtuar se do të ishte për një hapje ndaj cilitdo që dëshiron të votojë. Ai tha se duhet riaktivizuar dhe rienergjizuar FRPD-ja, pasi së fundmi është kthyer në një strukturë apatike.
Unë kam bërë thirrje për primare si hap kryesor, hapje dhe mekanizëm demokratik. Të kesh primare që janë të hapura edhe ndaj pjesës së simpatizantëve, është një hap në drejtimin e duhur. Sepse ne e dimë që elektorati i një partie është 10-fish më i madh se anëtarësia. Unë do isha që të hapej jo vetëm ndaj simpatizantëve por kujto që ka dëshirë të votojë, qoftë edhe socialistëve. Por ndoshta në Shqipëri nuk janë kushtet për të bërë një hap kaq radikal. FRPD nuk është në nivelet që ka qenë dikur, madje ka ardhur duke degraduar. Sot është një nga forumet rinore më apatike, krahasuar me LRI-në jo më të FRESH-it. Duhet riaktivizuar dhe rienergjizuar FRPD, por kjo fillon me zgjedhje të lira demokratike, sepse nëse do kemi fitues të paracaktuar do kemi sërish të njëjtën ‘deja vu’ dhe nuk do të dilet nga ky qerthull, apo qorrsokak ku janë partitë në Shqipëri”.



