Gazetari Idro Seferi, i cili prej vitesh ushtron profesionin në Serbi, thotë se ky vend ka zgjedhur të mos jetë as me Rusinë as me Ukrainën, por mbështet sovranitetin e kësaj të fundit.
Ai tha për MCN Live, Serbia është e fundit në Europë që ka folur, për shkak se është ditur që do të ketë qëndrime të dyjëzuara dhe kujtoi se Aleksander Vuçiç tha se edhe rusët dhe ukrainasit, janë të dy popuj vëllezër me serbët.
Sipas tij, duket më shumë si deklarim sipërfaqësor, por se nga ana tjetër Parlamenti Europian i ka çuar Serbisë mjaft kritika, duke i thënë se e pret të rreshtohet krahë vendeve të BE.
Seferi shtoi se BE nuk do ta pranojë si qëndrim të tillë, madje edhe në Serbi është bërë temë dhe është kërkuar që ta gjykojë luftën në Ukrainë, por shprehu bindjen me sa duket nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
“Për Presidentin Vuçiç, nuk është e lehtë, pasi jemi në fushatë zgjedhore, për zgjedhjet e 3 prillit. Shumica e popullit serb janë pro rusë dhe jo ukrainas, ndaj empatia e Serbisë shkon ndaj Rusisë. Por duket se deri më tani, Serbia nuk do të ketë sanksione ndaj Rusisë. Rusët në serbi, thonë se ndjejnë turp për veprimet e Putin. Kanë ndodhur katër protesta kundër luftës, një pjesë solidarizohen me Ukrainën, por politika është shumë hezituese që të kritikojë Rusinë. Vuçiç e argumentoi qëndrimin duke thënë se në kohën e bombardimit të Serbisë, Rusia nuk i vuri sanksione. Një qëndrim i tillë do ti kushtojë Serbisë në aspektin diplomatik në të ardhmen. Frika në rajon, ekziston tek konfliktet e mundshme, në Bosnjë, Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, pasi ka grupe pro ruse që mund të shkaktojnë aksidente. BE dhe para luftës në Ukrainë, ka shprehur disa herë shqetësim për ngjarjet në Bosnje, pasi Dodik nuk pajtohet me ekzistencën e shtetit të Bosnjës madje para disa ditësh bëri paradë ushtarake. Ai është parë nga BE dhe SHBA si një person kundër Amerikës. Frika kur bëhet fjalë për Rusinë ekziston, pasi përveç konflikteve në Ukrainë dhe Gjeorgji, ndikimi më i madh rus është në Ballkan”, u shpreh Seferi.
Më tej tha se Serbia është e fuqishme ushtarakisht, por në Kosovë për sigurinë përgjigjet NATO dhe përreth janë shtete të NATO, dhe në këto momente sipas tij, nuk mund të bëjë luftë serioze, por mund të krijojë incidente të cilat mbajnë peng situatën mes Kosovës dhe Serbisë.
Seferi nënvizoi se me ardhjen e Albin Kurtit në qeverisjen e Kosovës, vazhdojnë bisedimit, por nuk ka zëra për marrëveshje përfundimtare.
“Serbët në veri mund të riorganizoheshin dhe të shpallnin ndonjë autonomi apo pavarësi. Serbia është një përkrahëse e Rusisë dhe përkraht prej saj, por fiancaiarisht nuk e mbështet Rusia, por SHBA dhe BE. Ato që Vuçiç i paraqet si triumfe të tij janë shumë fabrika që i ka hapur, por gjysma janë të Gjermanisë, dhe në këto rrethana nuk besoj se Serbia do merrte vendime, të cilat do ta rreshtonin përfundimisht drejt bllokut rus”, deklaroi gazetari.



