
Filmi “The Odyssey”, një nga projektet më ambicioze të kinemasë bashkëkohore i regjisorit Christopher Nolan, pritet të shënojë një risi në ekranizimin e miteve klasike, duke rikthyer në qendër të vëmendjes epopenë e pavdekshme të Homerit.
Filmi bazohet në poemën e famshme antike dhe paraqet historinë e Uliksit, mbretit legjendar të Itakës, në udhëtimin e tij të gjatë dhe të rrezikshëm drejt shtëpisë, pas Luftës së Trojës. Përballjet me figura mitologjike si Ciklopi, sirenat apo nimfa Kalipso ndërthuren me dramat njerëzore të kthimit dhe besnikërisë, ndërsa në Itakë, Penelopa dhe djali i tij presin rikthimin e heroit.
Uliksin strateg e interpreton aktori Matt Damon, ndërsa Tom Holland luan Telemakun, djalin që kërkon të atin. Anne Hathaëay interpreton rolin e Penelopës, simbol i qëndrueshmërisë, ndërsa në kastin e pasur përfshihen edhe Zendaya në rolin e Athinasë, Robert Pattinson, Lupita Nyong'o dhe Charlize Theron.
Filmi që ka kushtuar rreth 250 milionë dollarë, më i shtrenjti në karrierën e Nolan është realizuar në disa vende të botës. Xhirimet janë kryer në Greqi, Itali, Islandë dhe Marok.
Ndryshe nga versionet filmike të mëparshme, Nolan synon një qasje më “realiste” ndaj mitologjisë, ku elementët hyjnorë interpretohen përmes fenomeneve natyrore, duke krijuar një ndërthurje mes reales dhe mitikes.
Filmi mbart edhe dimensionin filozofik, i përmbledhur në maksimën “Sfido perënditë! Një maksimë që nënvizon konfliktin mes njeriut dhe fatit, temë që rezonon fort edhe në kinemanë bashkëkohore. Vetë Nolan e ka cilësuar historinë si burim të “superheronjve të parë”, duke e lidhur mitin antik me narrativat moderne të fuqisë dhe sakrificës.
I planifikuar për premierë më datë 17 korrik 2026, “The Odyssey” konsiderohet një nga filmat më të shumëpritur të vitit, dhe pritet të vendosë standarde të reja në mënyrën se si veprat klasike mund të ripërpunohen kinematografikisht për publikun.



