Kryeministri Edi Rama njoftoi hartimin e një “liste të zezë” për të gjithë ndërtuesit që zihen në shkelje, duke i paralajmëruar se nuk do të mund të marrin leje për një numër të caktuar vitesh.
Duke folur ditën e sotme në prezantimin e paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, Rama deklaroi se do krijohen kushte për të asistuar subjektet që do duhet të vendosin me leje dhe me norma e kritere të qarta edhe strehë apo tendë.
Paligjshmëria e ndërtimit të ligjshëm, është një tjetër fenomen që ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalim. Mua nuk më intereson përmirësimi por çfarë nuk shkon.
Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallka e zinxhirit të ndërtimit nga arkitekti, supervizori dhe inspektorët përkatës. Sepse në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet e deformohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në abuziv të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie në qendër është ndërtuesi.
Për këtë arsye, ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë dhe s’do të mund të marrin më asnjë leje dhe të zhvillojnë asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh që mendoj se duhet të jetë më i madh se ai që propozoi grupi i punës.
Nuk mund të vazhdojmë të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët të cilëve mund t’ju themi se në një sistem që kemi zgjedhur.
Ndodh siç ndodhte në atë pallatin ku shkuam me ministrin që nuk i lenë as të futen brenda ose nuk marrin dot shtëpinë se arrijnë deri në absurd që një apartament shitet dy herë.
Për këtë arsye masa do të jetë e rëndë për ata që e bëjnë një gjë të tillë dhe përveç listës së zezë, do të jetë imediat konfiskimi i objektit, do ta administrojë shteti dhe do ta bërë në dispozicion të atyre që kanë paguar.



