Deputeti demokrat, Astrit Patozi, e përqendroi fjalën e tij në Kuvend te zgjedhjet presidenciale amerikane. Patozi bëri një krahasim me realitetin zgjedhor në Shqipëri. Ai theksoi se zgjedhjet e mbajtura të martën në SHBA duhet të shërbejnë si model.
Patozi u ndal edhe te deklarata e kryeministrit Rama gjatë fushatës për kandidatin Tramp, të cilën e cilësoi si meskine dhe përpjekje të ngutur për t’u rreshtuar me atë që mendohej se do të bëhej fituesja.
Pjesë nga fjala e Patozit
Njerëzit shkojnë rrallë në funerale dhe harrojnë shpejt trazimin që shkaktohet atje. Kur shikojmë fushatën, numërimin dhe pranimin e reuzltatit, të gjithëve na kujtohen paudhësitë tona zgjedhore. Zgjedhjet në Amerikë mbyllen shpejt, por ne kaq shpejt u kthehemi hileve për t'i vënë kazmën sistemit.
Vetëm 7 orë pas mbylljessë kutive, 100 milionë votues morën vesh rezultatin. Ne kemi 100 fish më pak dhe na duhet shumë më shumë kohë për të nxjerrë rezultatin. Ka gjithmonë kohë për të mbyllur derën e zvarritjes dhe manipulimit të zgjedhjeve.
Amerikanët u njohën me presidentin 7 orë pasi votuan. Por ai u ngjit në vendin e fituesit vetëm pasi rivalja i telefonoi për të pranuar humbjen.
Rama 1 vit më parë në zgjedhjet lokale u thoshte qytetarëve se vetëm budallenjtë mund të votonin opozitën se kishte vendosur t'i priste fondet.
Ndaj zgjedhjet amerikane duhet të na shërbejnë si model.
Nuk kam ndërmend ta shpall urimin tim me solemnitet, pasi mendoj se bën pjesë te mesazhi i shkurtër i kreut të PD-së, që përfaqëson thuajse gjysmën e shqiptarëve.
Në mes kësaj marrëzie dhe delirance shkëlqejnë deklaratat e egra të Ramës, edhe më të ashpra se të rivales Klinton. Për shkak se ishin të papranueshme, shumë mendojnë se do të ketë ndëshkim.
Unë edhe pse nuk më dhimbset hiç kryeministri, nuk dua të ndëshkohet pë deklaratat e papërshtatshme sepse e di që presidenti amerikan nuk funksionon sipas stereotipeve tona. Unë mendoj se Rama e ka marrë atë që kërkoi vetë, sepse kushdo që ka dijeni për deklaratat e tij e konsideron atë si një udhëheqës joserioz. Një politikan delirant, që për kalkulime meskine u bë komik. Halli i tij i vetëm duhej të ishte përmbytja.
Ky është përfundimi i çdo deliri dhe fatura e delirit për të bërë vezë më të mëdha seç ke enën.
Do të doja që presidentit Tramp të mos ia thonë atë që ka bërë Rama, pasi duke e konsideruar si qesharak nuk do të marrë seriozisht as vendin që ai qeveris.



