
Presidenti Ilir Meta doli sërish para mediave për të sqaruar arsyet e vendimit për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Meta tha se e ka gjykuar të nevojshme një dalje të dytë pas asaj të djeshmes për të gjithë “ata që e kanë lexuar keq Kushtetutën”.
Kreu i shtetit tha se vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve e ka marrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ai kërkoi që palët politike të shfrytëzojnë mundësitë për dialog.
Pjesë nga fjala e Metës
Shmanga përplasjen
Kushtetuta nuk përcakton afatin se kur zhvillohen zgjedhjet vendore. Detajet formale i ka Kodi Zgjedhor. Partitë politike vetë e dinë sa e kanë respektuar. Vendimmarrja për shfuqizimin e dekretit u bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të aksioneve histerike. Shmanga përplasjen, 30 qershori ishte caktuar si dita kur do të përballeshin në një betejë. Republika nuk është monopartitizëm. Presidenti siguron të gjithë se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë të mëvonshme. Presidenti u bën thirrje palëve të shfrytëzojnë mundësitë për dialog.
Duan të më shkarkojnë? Unë jam vetofruar për t’u larguar
Unë jam vetëofruar për ta lënë postin tim, gjithmonë i gatshëm që kjo të bëhet në emër të zgjidhjes së krizës. Nuk e kuptoj, ju intereson zgjidhja e krizës, apo shkarkimi i Presidentit? Nëse ju intereson shkarkimi i Presidentit, kjo është shumë e lehtë, zgjidhim krizën, ikën edhe Presidenti
Darka me Ramën
Kemi pasur një drekë sekrete, e fundit para 10 ditësh në Pallatin e Brigadave ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe tejkalimin e saj. I takonte atij të kërkonte datë tjetër për zgjedhjet. Prandaj Rama ka deklaruar se nuk ishte i surprizuar nga vendimi im.
Nuk na duhen eurojuristë
Përgjegjësinë për stabilitetin e vendit e kam unë. Kush ka dëshirë të kontribuojë, le të urdhërojë. Nuk kemi nevojë për eurojuristë.
Nuk ka zgjedhje pa firmën time
Mos u bëni qesharakë, në republikë ka një institucion që i shpall zgjedhjet. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione të tjera. Vendimet e tij i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Po zgjedhje s’ka dhe s’do të ketë pa dekretin e Presidentit
Nuk kam frikë nga Rama
Nëse ka një njeri që e di që unë s’kam frikë është Rama. Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia para popullit dhe nga detyrat që kam. Dhe detyra që kam është shumë e lartë. Reforma në drejtësi nëse u miratua me konsensus e ka falë ndërhyrjeve që kam bërë për atë konsensus se ndryshe sot Shqipëria as rekomandimin për nisje të negociatave nuk do e kishte.
* * *
Balla: Nuk tërhiqemi nga shkarkimi i presidentit
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, thotë se PS nuk është tërhequr nga nisma për të shkarkuar presidentin.
“PS nuk është tërhequr aspak për të shkarkuar presidentin Meta. Më vjen keq që nuk lexohet siç duhet Rezoluta e Kuvendit. Presidenti i Republikës ka bërë një akt antikushtetues. Akti i paprecedent i presidentit nuk ka asnjë vlerë juridike. Duhet të lëmë Kuvendin që të bëjë detyrën që i takon. Ditën e enjte, Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë një debat dhe në fund do të dalë në përfundim. Përballë një akti antikushtetues, duhet një hap ligjor që të dënojë antikushtetueshmërinë. Presidenti mund të ketë shumë dëshira, por jo gjitha dëshirat mund t’i shndërrojë në dekrete”, tha Taulant Balla.
Kreu i grupit socialist e bëri këtë deklaratë pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësues të Bundestagut gjerman.
Ndërsa kryeministri Rama shprehet i bindur për zgjedhjet e 30 qershorit. Në një postim në Tuiter vetëm pak minuta pas konferencës së Metës, Rama shkroi se zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor.
Nuk ka vonuar përgjigjja e presidentit, i cili po në rrjetet sociale shkroi se "shqiptarët kanë nevojë për ZGJEDHJE, jo për votime".



