
Partia e Lirisë do të depozitojë në Kuvend një amendament për mosmiratimin e projektligjit për shtimin e tatimit 23% për profesionet e lira dhe shtyrjen e tij deri në kapërcimin e krizës.
Në një deklaratë nga Kuvendi, deputetja Erisa Xhixho tha se kategoria që preket nga ndryshimi i ligjit gjenden të papërgatitur dhe janë potencial për emigrim dhe punësim jashtë vendit. Xhixho theksoi se efektet e mundshme të ligjit nuk janë studiuar paraprakisht.
Projektligji për shtimin e tatimin 23% mbi të ardhurat për profesionet e lira dhe të vetëpunësuarit, i propozuar nga qeveria, do të rëndojë mbi avokatët, kontabilistët, mjekët e dentistët, të cilët gjenden të papërgatitur për këtë vendimmarrje, në këtë kohë krize të rëndë ekonomike. Partia e Lirisë shpreh bindjen se ky taksim i pastudiuar është prova e radhës se sa të paqëndrueshme janë politikat e taksimit, të cilat godasin bizneset që pasi kanë bërë një planifikim për ecurinë e tyre u ndryshohet tatimi. Le të sjellim në vëmendje se kjo qeveri e ka ndryshuar 4 herë mënyrën e deklarimit brenda 4 vitesh.
Xhixho theksoi se më shumë se një politikë e re tatimore, ky ligj është një përpjekje për të përfituar të ardhura nga profesionistët e lirë, një praktikë kjo që kundërshtohet nga organizmat ndërkombëtarë.
Profesionet e lira me këtë taksim do të detyrohen të paguajnë më shumë se biznesi i vogël dhe se biznesi i madh. Me këtë ligj, qeveria ka vendosur ta zhvendosë në kurriz të profesionistëve të lirë një pjesë të mirë të barrës së borxhit dhe pagesave të inceneratorëve, pasi përfitimi që do të arrijë nga ky taksim është plot 2 miliard lekë ose 20 milion dollarë. Ndërkohë që të gjitha organizmat financiare ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë, kërkojnë që të mos rritet barra fiskale në kohë krize për të gjitha shtresat e shoqërisë, por të ndihmohen me paketa reale sociale.
Xhixho tha se rasti në fjalë tregon se qeveria i shton taksat mbi qytetarët, që të paguajë klientët e saj oligarkë dhe aferat e saj që nga inceneratorët, koncesionet dhe tenderat me dhjetëfishin e çmimit.
Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj. Partia e Lirisë shpreh bindjen se një sistem i pandershëm, i padrejtë dhe në ndryshim të vazhdueshëm është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja.



