
Nga Kryesia e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur nismën e PD-së për amendamentet për Ndryshimet Kushtetuese.
Balla vuri theksin se zgjatja e “Vettingut” për të cilin tha se është një çështje teknike dhe sipas tij nuk mund të bëhet çështje politike apo të lidhet me propozimet e tjera të PD për ndryshime kushtetuese.
Sa i përket zgjatjes së afateve të vettingut, Balla, tha se për këtë çështje nuk do të ketë negociata me PD.
Ai theksoi se Reforma në Drejtësi është iniciuar nga aleatët e Shqipërisë dhe është tejet e rëndësishme që të vazhdohet përpara në këtë proces. Gjithashtu shtoi, se politika nuk duhet të përfshihet në mbarëvajtjen e saj.
As ka pasur, dhe as nuk do të ketë negociatë për këtë gjë. Është një rekomandim që ka ardhur nga partnerët dhe institucionet që monitorojnë proceset e vetingut. Deri më tani ky proces ka ecur shumë mirë, madje përtej pritshmërive. Askush nuk e dinte që një numër i madh prokurorësh dhe gjyqtarët do të shkarkoheshin. Në këtë këndvështrim dua të ritheksoj që grupi parlamentar i PS, s’do të hyjë në diskutim për këtë çështje. E rëndësishme është që politika duhet të rri larg Reformës në Drejtësi dhe vettingut në veçanti dhe themeli i saj ka qenë largimi i politikës në reformën në drejtësi.



