Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Disa muaj pasi u dorëhoq nga posti i kryeministrit, detyrën të cilën vijon ta mbajë deri në formimin e qeverisë së re, Haradinaj njoftoi sot edhe dorëheqjen nga drejtimi i AAK-së.
Ai është shprehur se e ka marrë këtë vendim për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake dhe se deri në Kuvendin e ri të AAK-së do të jetë vetëm ushtrues detyre i kryetarit.
“Jam i dorëhequr. Do të thotë prej kuvendit të fundit të punës që e mbajtëm jam i dorëhequr. Kryej vetëm funksionet në dorëheqje që i kemi deri në zgjedhje”, thotë ai.
Haradinaj paralajmëroi riorganizimin e partisë së tij, AAK, ndërsa shtoi se në zgjedhjet e saj do të aplikohet parimi “një delegat - një votë”.
“Ne kemi bërë një lëvizje të guximshme e kemi e kemi hapur garën në total në parti, 1 delegat 1 votë, edhe unë jam në garë me mbi 100 kolegë të mitë në të njëjtën kohë për kandidat për kryetar. 100 anëtarë të Këshillit Drejtues, përfshirë edhe mua, e marrin votën për kryetar. Cilido që e merr një votë më shumë bëhet kryetar i partisë, ose i degës. Është një garë, më sfiduesja e mundshme, është e ngjashme si për asamble, por edhe bartësi i listës është në votë”, citohet Haradinaj nga mediat e Kosovës.
Haradinaj u dorëhoq nga detyra e kryeministrit më 19 korrik të vitit të kaluar. Ai e njoftoi dorëheqjen nga posti pas një mbledhjeje të qeverisë, me arsyetimin se kishte marrë një thirrje për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
Megjithatë, pas kthimit nga Haga, ai vijoi ta mbajë drejtimin e qeverisë, në cilësinë e kryeministrit në detyrë deri në zgjedhjet e 6 tetorit. Në zgjedhjet e reja parlamentare, partia e tij, AAK, hyri në koalicion me PSD-në, një parti e krijuar pas shkëputjes së një fraksioni nga Vetëvendosja.
Vota e 6 tetorit i dha fitoren Vetëvendosjes, e cila u rendit parti e parë me 26,270%, e ndjekur nga LDK me 24,548%.
Koalicioni i partisë së Haradinajt me PSD-në arriti të merrte vetëm 11.515% të votave, duke mbetur në opozitë.



