Të paktën 89 persona vijojnë të jenë të zhdukur pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjën lindore, konfirmuan autoritetet gjyqësore rajonale në Valencia, ndërsa kryeministri i vendit, Pedro Sanchez, tha se ka caktuar 10.6 miliardë euro për të ndihmuar viktimat.
Numri i personave të pagjetur përfshin vetëm ata që janë raportuar të zhdukur nga anëtarët e familjes, të cilët kanë dhënë informacione personale dhe mostra biologjike për të lejuar identifikimin e tyre, tha në një deklaratë të martën Gjykata e Lartë e drejtësisë e rajonit të Valencias.
Në vijim u shtua se mund të ketë më shumë raste të njerëzve që janë zhdukur, të dhënat e të cilëve nuk janë regjistruar ende.
Më shumë se 200 persona u konfirmuan të vdekur pas shirave të dendur javën e kaluar që shkaktuan vërshimin e rrugëve ujore, duke krijuar përmbytje të shpejta që shpërthyen nëpër periferi në jug të qytetit të Valencias, duke fshirë makina dhe ura, dhe duke përmbytur pronat dhe parkingjet nëntokësore.
“Ka ende persona të zhdukur për t’u gjetur, shtëpi dhe biznese të shkatërruara, të varrosura nën baltë dhe shumë njerëz vuajnë nga mungesa të rënda. Duhet të vazhdojmë të punojmë”, tha Sanchez në një konferencë për mediat në Madrid të martën.
Të paktën 217 persona humbën jetën në Valencia, Castile-La Mancha dhe Andaluzi, por vetëm 133 janë identifikuar deri më tani.
Gjykata tha se mjekët kishin kryer 195 autopsi dhe se 62 trupa ishin ende në pritje të identifikimit. Garda kombëtare e Spanjës të martën u kërkoi të afërmve të personave të zhdukur të siguronin mostra të ADN-së për të identifikuar trupat.



