
Elvira Serra
Nëse i ndodh asaj, mendoni çfarë na ndodh ne. Nëse ajo, Charlize Theron, një grua e bukur dhe e vlerësuar me çmime, 1.77 m e gjatë dhe plot sensualitet, nuk gjen dot një të dashur, atëherë për të tjerat nuk ka shpresë. Rasti i Theron mund të ngjajë i çuditshëm, por ndodh. Vetë ylli i filmit “Monster” për të cilin u vlerësua me Oscar në vitin 2004, pranoi para mikrofonit të Entertainment Tonight” se ishte “plotësisht e disponueshme”.
Mund të duket shokuese, nëse mendon për talentin e aktores së lindur në Afrikën e Jugut 44 vjet më parë, me një histori të hidhur familjare pas shpine (nëna vrau babain e aktores para syve të saj, për vetëmbrojtje), 43 filma prej të cilëve 11 produksione që mbajnë emrin e saj, dy fëmijë të adoptuar, aktiviste e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të kafshëve. E megjithatë, Charlize Theron nuk është e lidhur prej 10 vitesh. “Bëni një hap”, u është drejtuar adhuruesve të trembur, ndoshta edhe për shkak të #metoo, apo edhe të frikës së krahasimit me një grua të pavarur, me autoritet, të aftë për të ndërtuar të ardhmen e vet pa pasur nevojën e një mashkulli në krah.
Është frika e përballjes me një femër të arrirë. Kështu e shpjegon ngurrimin e meshkujve Chiara Simonelli, psikoseksologe në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Por është edhe një problem pushteti. "Nëse një grua është e strukturuar, e zgjuar dhe e fortë, kjo nuk i vjen fort për shtat një mashkulli”, thotë Simonelli.
Lidhur me këtë temë, vetë Simonelli pati një impakt të madh në Itali dy vite më parë, kur gjatë një emisionin në televizion, argumentoi pse meshkujt italianë zgjedhin femrat e Lindjes. “Pas lindjes, ato rikthehen në formë të shkëlqyer trupore”, “Falin tradhtinë”, “Janë të gatshme ta lënë partnerin të drejtojë lidhjen”, “Janë shtëpiake të përkryera”, “Janë gjithnjë seksi”, ishin disa nga argumentet e saj.
Përpara një skenari të tillë mashkullor, kushdo që ka pak vetëvlerësim zgjedh të rrijë vetëm. Por edhe në këtë rast nuk e lënë rehat. “Ti je shumë kërkuese ...", dëgjon në rastin e Charlize Theron. Simonelli, megjithatë, nuk është pesimiste: "Unë shoh një lëvizje të caktuar, me çifte që ndahen dhe të tjerë që lidhen". Pra, jemi në rregull. / Corriere.it /



